Acquis

Kompleksiteti i Procesit të Integrimit Evropian rritet shpesh edhe nga gara e pandalshme e brendshme mes Shteteve Anëtare të BE-së, kryesisht mes shteteve të fuqishme, për të instaluar brenda nomenklaturës komplekse të BE-së shprehje apo terminologji të ndryshme nga gjuhët e tyre si dhe instistimi i tyre (shteteve) për përdorimin e atyre shprehjeve në gjuhën e origjinalit nga e gjithë BE dhe jo vetëm. E tillë është shprehja franceze “Acquis communautaire”: pra "acquis" që do të thotë "ajo që është fituar" ose "arritur" dhe "communautaire", që do të thotë "komuniteti", pra ajo që është arritur nga komuniteti (bashkësia).

Opinion

04/11/2020 10:29

Shkruan: Agron HOTI

Acquis communautaire quhet tërë legjislacioni i akumuluar i BE-së që nga viti 1958 e deri më sot. Ndërsa, nocioni Acquis communautaire, si i tillë, e ka origjinën gjatë negociatave për anëtarësim në BE nga Danimarka, Irlanda, Norvegjia dhe Mbretëria e Bashkuar (1969-1972), koha kur Franca kundërshtonte anëtarësimin e Britanisë së Madhe në BE, apo siç më saktë BE atëherë quhej Bashkësitë Evropiane (European Communities) në përbërjen e së cilës ishin 1) Bashkësia Evropiane për Thëngjill dhe Çelik, 2) Bashkësia Evropiane për Euroatom, dhe 3) Bashkësia Ekonomike Evropiane.

Për t’u bërë edhe më praktike, kjo shprehje franceze në shumë raste tashmë përdoret vetëm si Acquis që nënkupton tërë legjislacionin e BE-së siç janë: traktatet, ligjet e BE-së (rregulloret, direktivat, vendimet, rekomandimet, opinionet), deklaratat dhe rezolutat, marrëveshjet ndërkombëtare dhe aktgjykimet e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë si organ i BE-së e jo Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut sepse kjo e fundit nuk është organ i BE-së por i Këshillit të Evropës, institucion ky po ashtu jashtë ombrellës së BE-së. Acquis gjithashtu përfshin veprime që ndërmarrin qeveritë e BE-së së bashku në fushën e Lirisë, Sigurisë dhe Drejtësisë dhe atë të Politikave të Përbashkëta të Jashtme dhe të Sigurisë.

Ajo që është me rëndësi të përmendet është fakti se Acquis (legjislacioni i BE-së) përkthehet në 24 gjuhë zyrtare të BE dhe kur hartohet si akt ligjor, ekziston si tekst paralel në: bullgarisht, çekisht, danisht, holandisht, anglisht, estonisht, gjermanisht, greqisht, finlandisht, frëngjisht, hungarisht, italisht, letonisht, lituanisht, maltezisht, polonisht, portugisht, rumanisht, sllovakisht, sllovenisht, spanjisht, suedisht, kroatisht dhe rrallë irlandisht. Vetëm rregulloret e miratuara nga Këshilli i Bashkimit Evropian (Këshillit të Ministrave) dhe Parlamenti Evropian përkthehen aktualisht në irlandisht.

Acquis është legjislacioni i BE-së nga i cili burojnë të drejtat e përbashkëta dhe detyrimet që vlejnë për të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së dhe vetë institucionet e BE-së. Vendet që aspirojnë anëtarësimin në BE duhet të pranojnë Acquis para se të anëtarësohen në BE. Vendet aspiruese duhet ta përfshijnë Acquis në legjislacionin vendor dhe duhet të fillojnë ta zbatojnë atë me të hyrë në BE. Acquis është një pjesë integrale e negociatave për anëtarësimin në BE. Negociatat për anëtarësim në BE me vendet kandidate përqendrohen, ndër të tjera, në harmonizimin e legjislacionit kombëtar me Acquis dhe shteteve u kërkohet të zhvillojnë kapacitetet e administratës publike dhe sistemit gjyqësor për zbatimi efektiv të Acquis.

Vlen të theksohet që i tërë vëllimi i Acquis duhet që së pari të përkthehet në gjuhën e vendit zyrtar kandidat për anëtarësim në BE, pastaj ai vend kandidat duhet të sigurojë kapacitetet adekuate administrative dhe mbështetjen e nevojshme financiare për harmonizimin e legjislacioni vendor me Acquis. Aq voluminoz është bërë legjislacioni i BE-së sa sot flitet për qindra mijëra faqe legjislacion (Acquis). Duke pasur parasysh që përkthimi i këtij volumi kaq të madh, përpos që kërkon përkthyes të shumtë dhe tejet kompetentë, ai kushton jashtëzakonisht shumë financiarisht dhe merr shumë kohë. Prandaj, Kosova e ka Shqipërinë

mundësi të artë për këtë proces, sepse duke e pasur Shqipërinë ca hapa përpara në Procesin e Integrimit Evropian do të mund ta shfrytëzonte legjislacionin e BE-së të përkthyer në shqip nga Shqipëria.

Shikuar hapat e kaluar deri tani të Integrimit Evropian duhet përmendur që Kosova deri me tani ka nënshkruar vetëm Marrëveshjen Stabilizim Asociim (MSA) me BE-në, e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill 2016 dhe e cila duhet rishikuar në vitin 2021. Ndërkohë Kosova ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat real për anëtarësim në BE. Vetëm pasi ta ketë marrë statusin e kandidatit real dhe vetëm pasi të jenë hapur negociatat për anëtarësim, atëherë Kosova gjatë procesit të negociatave për anëtarësim do të jetë e detyruar që zyrtarisht të harmonizojë legjislacionin e saj me Acquis.

Duke qenë se Kosova merr goxha shumë asistencë teknike (këshilla dhe ekspertizë) nga BE dhe donatorë tjerë të jashtëm, në situata ideale do të duhej që kjo asistencë të kapitalizohej sa më shumë që të jetë e mundur, dhe se, pavarësisht në cilën fazë të integrimit gjendemi, do të duhej që së paku të përafronim, për aq sa do të mundnim, legjislacionin tonë me atë të BE-së. Sigurisht që ka një pjesë të legjislacionit të Kosovës që tashmë është përafruar me atë të BE-së, p.sh. segmente të caktuara të fushës së mjedisit dhe bujqësisë (dy fusha me shumë standarde të BE-së), por patjetër që është e pamjaftueshme, krahasuar me mundësitë e ofruara nga numri i madh i projekteve të BE-së dhe donatorëve tjerë të jashtëm që mbështesnin dhe ende mbështesin procesin e Integrimit Evropian në Kosovë në tërësinë e tij.

Në rast se i kthehemi gjendjes në Kosovë karshi harmonizimit të Acquis, duhet theksuar që institucionet e Kosovës (Qeveria dhe Kuvendi) kanë strukturat e themeluara për hartim të legjislacionit dhe ato për integrim evropian. Megjithatë, këto struktura nuk i kanë kapacitetet e nevojshme për përafrim të legjislacionit vendor me Acquis. Është e pafalshme që asnjëherë nuk është punuar sa dhe si duhet për të fuqizuar kapacitetet e nevojshme vendore për përafrim të legjislacionit vendor me Acquis, aq më tepër kur kemi pasur projekte të pafundme të BE-së dhe donatorëve tjerë pikërisht për ngritjen e kapaciteteve institucionale.

Është e pafalshme që projektligjet p.sh të sektorit të bujqësisë apo mjedisit të mos përafrohen me legjislacionin përkatës të BE-së (Acquis) pavarësisht faktit që ende nuk kemi marrë statusin e kandidatit dhe nuk i kemi të hapura negociatat për anëtarësim në BE. Ka disa shtete që, edhe pse nuk janë anëtare dhe nuk synojnë anëtarësimin në BE, kanë goxha legjislacion të përafërt me atë të BE-së siç p.sh. është Zvicra, Norvegjia apo Islanda.

Sigurisht që Kosova nuk mund të krahasohet me kapacitetet institucionale të Zvicrës, Norvegjislë dhe Islandës, por pasja e shumë projekteve të BE-së dhe donatorëve tjerë të jashtëm, sikur të ishte shoqëruar me kohë me vullnet e vizion politik të drejtuesve politikë, përpos që do të mund të ngriste kapacitetet e nevojshme vendore, njëkohësisht do të mund të përafronte shumë ligje vendore me Acquis, saqë kur të hapeshin negociatat për anëtarësim në BE, do të kishim shumë më pak punë, se sa që kemi apo do të kemi në të ardhmen nëse vazhdojmë ende të promovojmë injorancën në administratë publike siç edhe kemi vepruar në mënyrë konstante në të kaluarën.

Krahas mungesës së kapaciteteve institucionale për përafrim të legjislacionit vendor me Acquis, Kosova si problem tjetër të madh ka dhe mungesën e zbatimit adekuat të legjislacionit, e metë kjo e përmendur pothuaj në të gjitha Raportet e Vendit (Progresit) të BE-së për Kosovën. E moszbatimi i legjislacionit ndodh pjesërisht për shkak të mungesës së kapaciteteve të nevojshme institucionale e financiare dhe pjesërisht edhe për shkak të mungesës së vullnetit politik për të zbatuar legjislacionin.

Ajo çfarë e pret Kosovën sot dhe nesër, është para se gjithash pasja e një vullneti politik për promovim të profesionalizmit dhe meritokracisë në administratë publike dhe përkushtimi i nevojshëm për reforma të thella në të gjithë sektorët e mundshëm shtetëror, me theks të veçantë, reformimin e gjithëmbarshëm të sistemit arsimor, kjo për të nxjerrë resurse profesionale në përputhje me nevojat e tregut vendor dhe ndërkombëtar. Një vullnet e vizion politik vendor i koordinuar mirë me Rend-ditën Evropiane, sigurisht që do të përshpejtonte hapat e Kosovës në Procesin e Integrimit Evropian. Por, nga e thëna në të bërë është një deti i tërë.