Abuzimi me komente online

Nga një hulumtim i bërë nga YIHR për mediat online, ku janë analizuar 9 media, për të parë se sa ato respektojnë ndalimin e gjuhës së urrejtjes, ka dalë se vetëm Lajmi.net dhe Gazeta Jeta në Kosovë janë shembuj pozitivë.

Lajme

02/02/2014 16:36

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) ka publikuar një raport, ku janë analizuar 9 media online, për të shikuar nëse ato respektojnë ligjin për të parandaluar gjuhën e urrejtjes në komentet e tyre.

Komentet që fyejnë një person në baza etnike dhe në bazë të orientimit seksual, janë kryesisht që janë gjetur më së shpeshti nëpër portalet e analizuara.

YIRK gjatë vitit 2012 dhe 2013 ka monitoruar trajtimin e gjuhës së urrejtjes në këto portale: Bota Sot, Indeksonline, Gazeta Express, Gazeta Jeta në Kosovë, Gazeta Tribuna, Koha, Lajmi.net, Telegraf dhe Zeri.

Shprehjet më denigruese që janë gjetur në këtë raport janë kryesisht “shkije”, “magjup” dhe “pedera”, të cilat gjenden në shumicën e portaleve, me disa përjashtime.

Portalet zakonisht vendosin një nënshkrim, një shënim për heqjen e përgjegjësisë nga vetja, në seksionin e komenteve, ku zakonisht shkruhet se “portali nuk mban përgjegjësi” ose edhe që “ndalohen komentet që nxisin urrejtje”.

“Këtë shënim aktualisht e ka Ineksonline, Telegrafi, Koha, Tribuna, dhe Gazeta Jeta në Kosovë. Ndërsa, vetëm Telegrafi, Gazeta Jeta në Kosovë dhe Tribuna shprehimisht ndalojnë gjuhën e urrejtjes. Bota Sot, Zeri dhe Lajmi.net, nuk përmbajnë fare këtë shënim”, thuhet në raportin e YIHR KS.

Gjatë këtij raporti janë intervistuar përfaqësuesit e mediave që janë monitoruar nga YIHR KS. Ata kanë deklaruar se faktori kryesor që ndikon në lejimin e përdorimit të gjuhës së urrejtjes është mungesa e stafit, përkatësisht njohësve të legjislacionit që kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes.

Shembuj pozitivë në këtë aspekt, siç ka dalë nga hulumtimi, janë Lajmi.net dhe Gazeta Jeta në Kosovë.

“Pleurat Halili, njëri ndër anëtarët e bordit redaktues të lajmi.net, nëpërmjet një kolumne të tij, shprehet se “dëshiroj të njoftoj me krenari për politikën redaktuese të lajmi.net rreth komentimeve të lexuesve. Redaksia redakton, e nëse është e nevojshme edhe ndalon, komentet ofenduese që nxisin urrejtje”, thuhet në raport.