Abu Hamza shpallet fajtor, nuk i ndihmojnë lotët para jurisë

Një prej predikuesve të njohur të fesë Islame në Londër, i njohur me emrin Abu Hamza, rrezikon burgimin e përjetshëm, pasi është shpallur fajtor edhe në New York, për përfshirje në rrëmbimin dhe vrasjen e turistëve perëndimorë në Jemen.

Bota

20/05/2014 15:51

Katër pengjet evropiane u vranë gjatë një përpjekje për shpëtimin e tyre. Dy të mbijetuar dëshmuan në gjyq, ashtu si edhe një ish- bashkëpunëtor i dënuar i Al Qaedas nga Britania i cili dëshmoi përmes një linje të drejtpërdrejt televizive.

Juria shikoi edhe regjistrimet filmike dhe dëgjoi regjistrime të zërit të Abu Hamzës në të cilat ai i quan jo-myslimanët \”derra\” dhe justifikon rrëmbimin e tyre.

Abu Hamzan u shpall fajtor për të gjitha 11 akuzat për terrorizëm, përfshirë dërgimin e dy pasuesve për të ngritur një kamp trajnimi për xhihadin në Shtetet e Bashkuara, dërgimin e dy burrave për të ndihmuar organizatën terroriste Al Qaeda në Afganistan, dhe për dhënien e një telefoni satelitor pengmarrësve në Jemen.

I lindur në Egjipt, Abu Hamza u ekstradua nga Britania e Madhe pasi vuajti një dënim me shtatë vjet burg atje për nxitje të vrasjeve dhe urrejtjes raciale.

Në gjykatën amerikane në New York, Abu Hamza doli sërish në podium për të dëshmuar në mbrojtje të tij, ku mohoi lidhjet me xhihadistët, dhe tha se ai më parë ka kërkuar falje për predikimet e tij ekstremiste.

Filloi të qante kur përshkroi masakrën e vitit 1995 kundër myslimanëve në Bosnje. Ai tha se nuk kishte dijeni në lidhje me planin jemenas të pengmarrjes dhe i kishte bërë thirrje rrëmbyesve t\’i jepnin fund operacionit kur ai kishte folur me ta në telefon.

Avokati mbrojtës Jeremy Schneider tha se provat kundër Abu Hamzës ishin vetëm fjalë, e jo vepra, por në argumentet përmbyllëse, prokurorët i bënë thirrje jurisë që të mos \”mashtroheshin\” nga dëshmia Abu Hamzës, duke thënë se ai po përpiqej të \”tregonte\” një version të vetes së tij që është në kundërshtim me provat që tregojnë se ai ishte një udhëheqës i përkushtuar i xhihadit të dhunshëm.

Abu Hamza, siç njofton Zëri i Amerikës, do të mund të përballet me burgim të përjetshëm, më vonë këtë vit, kur pritet të shpallet vendimi për dënimin e tij.