Abu Dhabi bëhet me fabrikën solare më të madhe në botë

Abu Dhabi në Emiratet e Bashkuara Arabe është kthyer në fabrikën më të madhe solare në botë duke siguruar ‘energji të gjelbër’ për 90,000 njerëz.

Bota

11/07/2019 18:48

Pasi të jetë plotësisht funksional, Noor Abu Dhabi, i cili ka 3.2 milionë panele solare, do të reduktojë emetimet me rreth një milion ton metrik CO2 – ekuivalenti i 200.000 automjeteve në rrugë.

Panelet solare shtrihen në një sipërfaqe prej 8 kilometra katrorë në Sweihan.

Disa parqe solare janë më të mëdha, por drejtohen nga biznese të shumta që përdorin infrastrukturën e përbashkët dhe punojnë veç e veç.

Kina aktualisht ka parkun më të madh solar në botë në Zhongwei, Ningxia, i cili mbulon sipërfaqe prej 16.6 kilometra katrorë.

Emiratet e Bashkuara Arabe shpenzuan 700 milionë funte për projektin, si pjesë e strategjisë së vendit mbi energjinë për të rritur përqindjen e energjisë së gjelbër nga 25 për qind në 50 për qind deri në vitin 2050.

Aktualisht, EBA renditet e 29-ta në botë për nga emetimet më të larta të dyoksidit të karbonit bazuar në emetimet e karburanteve fosile. Ky shtet arab është shumë i varur nga rezervat e naftës, të cilat e renditin EBA-në në vendin e shtatë në botë.