Abrashi: Samiti i Berlinit është një kthim i vëmendjes kah Kosova

Ish-kandidati për kryetar të Prishtinës nga LDK, Arban Abrashi, ka thënë se Samiti i Berlinit që pritet të zhvillohet me 29 prill të këtij viti, është një kthim i vëmendjes ndërkombëtare në drejtim të Kosovës.

Lajme

26/04/2019 08:30

Ai këto komente i ka bërë në emisionin Sytë 7 në Klan Kosova, duke shtuar se kohëve të fundit Kosovës i ka munguar vëmendja e Bashkimit Europian dhe e Shteteve të Bashkuara.

“Samiti i Berlinit është një kthim i vëmendjes kah Kosova, diçka që na ka munguar për një kohë të gjatë për shkak të zhvillimeve të brendshme në Bashkimin Europian, por edhe për shkak të mosinteresimit nga pala kosovare”.

“Tani si duket Europa sërish është e interesuar që të angazhohet me temat e Ballkanit Perëndimor. Nuk është rastësi që ky samit do të mbahet në Berlin sepse Gjermania edhe më parë ka qenë e angazhuar me Kosovën”.

“Kemi informata se në këtë takim do të shkojë edhe Kryeministri Ramush Haradinaj. Me rëndësi është që po kthehet vëmendja tek ne sepse realisht kohëve të fundit kemi mbetur jashtë radarit të Bashkimit Europian dhe jashtë radarit të Shteteve të Bashkuara”.