Abrashi: Opozita në presion të kohës, nuk do të kalojnë as pragun zgjedhor
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, në një intervistë për emisionin InfoBox të TV Dukagjinit tha se e gjithë kjo që po ndodh nga opozita është për faktin se janë në presion të kohës dhe e dinë se Qeveria aktuale është duke kryer punë të mirë.

Lajme
Sipas tij, opozita dëshiron zgjedhje tash sepse e dinë se nëse ato mbahen në afat të rregullt kohor, më 2018 nuk do të arrijnë të kalojnë as pragun zgjedhor.
Abrashi theksoi se sulmet e fundit të opozitës, sidomos sulmi ndaj zëvendësministrit të Jashtëm, Selimi në prani të familjarëve është e papranueshme dhe nuk përkon me traditat tona.
Sipas tij, opozita nuk e ka ndërmend me u ndal, por gjithashtu as nuk kanë alternativa konkrete.
Zëdhënësi i Qeverisë tha se kanë kryer punë të mirë gjatë kësaj kohe sa janë në qeveri, duke përmendur atë se janë afër anëtarësimit në UNESCO, nënshkrimit të MSA-së, vendimit për viza, etj, dhe kjo sipas tij i pengon opozitës pasi nëse përfundon mandati në kohë të rregullt më 2018 atëherë opozita nuk do të arrijë ta kalojë pragun zgjedhor.
“Ne si qeveri jemi të obliguar të raportojmë para Kuvendit. Opozita nuk ka interes të debatojë se e dinë që argumentet nuk janë në anën e tyre…Nuk po na lejohet debati me mjete primitive”, tha Abrashi, transmeton Telegrafi.
“Opozitës po i pengon suksesi i qeverisë Mustafa…”, u shpreh Abrashi, duke shtuar se përveç dhunës opozita nuk ka alternativa për çështjet konkrete.
“… Nëse vazhdojnë kështu nuk do ta kalojnë as pragun zgjedhor… Kauzat e tyre po humbin në kohë prandaj po kërkojnë zgjedhje sa më shpejt”, tha Abrashi.