Abrashi: Kosova rihap aeroportin brenda dhjetë ditësh

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit në Qeverinë e Kosovës, Arban Abrashi, tha se pret që fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” të rinisin brenda dhjetë ditësh.

Lajme

09/06/2020 13:36

Ato janë ndërprerë qysh në muajin mars, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Abrashi tha për Radion Evropa e Lirë se ka zhvilluar takime me të gjitha institucionet, përfshirë këtu Autoritetin e Aviacionit Civil, Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, kompanitë ajrore dhe Ministrinë e Shëndetësisë, për rikthimin sa më të shpejtë të fluturimeve.

“Po bëjmë përpjekje që brenda dhjetë ditësh të bëhet rifillimi i plotë i fluturimeve ndërkombëtare, duke respektuar plotësisht udhëzimet për masat e sigurisë për parandalimin e COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi], të lëshuara nga Agjencioni Evropian i Sigurisë së Aviacionit (EASA) dhe udhëzimet tjera nga Ministria e Shëndetësisë”, tha Abrashi.

Lexo edhe: 

Pritet hapja e Aeroportit të Prishtinës, këto janë masat që udhëtarët janë të obliguar t’i zbatojnë

Kosova ka regjistruar rastet e para me koronavirus më 13 mars dhe menjëherë ka vendosur masa izolimi, përfshirë mbylljen e kufijve, të shkollave dhe të gastronomisë.

Lehtësimi i masave ka nisur të bëhet gradualisht qysh më 4 maj.

Në Kosovë, gjithsej 1,263 raste janë konfirmuar me koronavirus.

Prej tyre, 912 pacientë janë shëruar, ndërsa 31 kanë vdekur.