Abrashi: AAK më dha hapësirë për të kontribuar

Biznesmeni Gazmend Abrashi të dielën është prezantuar si anëtar i ri i AAK-së dhe njëherësh ai do të jetë në listën për kandidatë për deputet të kësaj partie për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit.

Lajme

12/05/2014 22:43

Në emisionin Zona B të Klan Kosovës, Gazmend Abrashi tha se ka vendosur që t’i bashkohet AAK-së, pasi që atë e sheh si partinë e vetme që i ka dhënë hapësirë për të kontribuar.

“Mendoj që në politikat e tjera ka diktat dhe nuk ka hapësirë për ide. Mendoj që AAK është një subjekt ku do të ketë mundësi të elaboroj konceptet e mia. Mendoj që shumë ide të mia janë përputhur me planin e AAK-së, dhe vet ajo marrëveshje për hapësirë për fushëveprimet e mia”.

“Kur krijohet një besim me një subjekt, besoj se e kam ndjerë në thellësi të shpirtit tim, e kam ndje se mund të kontribuojë këtu, në AAK”.

Abrashi thotë se i është futur politikës pasi që beson se problemet e mëdha kanë zgjidhje më të thjeshta nëse je brenda sistemit.

“Mendoj që zgjidhjet e mëdha i kanë zgjidhjet e thjeshta për nga brenda sistemit”.

“Duke u nisur se vij nga komuniteti i biznesit, shumë vendime të cilat i shoh nga jashtë që nuk mund të vijnë me zgjidhje ekonomike, mendoj që vet përvoja ime mundet me kontribu në zgjidhjen e këtyre problemeve”.

Abrashi ka thënë se kalimet e fundit të figurave të ndryshme nëpër parti politike dëshmojnë se partitë kanë nevojë për reforma.

Ai u shpreh i bindur se do të marrë votën e qytetarëve më 8 qershor.

“Ka ardhur koha për reforma, mendoj se edhe partitë kanë nevojë për reformim”.

“Unë jam i bindur që do të marr votën e qytetarëve të Kosovës dhe të kontribuoj për shtetin”, tha Abrashi në intervistën në Zona e Debatit.