Abortoi dy herë sepse mbante vajza

Rastet e aborteve selektive janë shtuar shumë. Samira nga Pakistani, por që jeton në Britani, është detyruar të abortojë dy herë sepse burri i saj nuk don vajzë. Ajo prapë është shtatzënë, dhe druhet se nëse është vajzë, do detyrohet të abortojë sërish.

Bota

16/03/2014 09:37

Samira (që nuk është emri i saj i vërtetë), e cila është me prejardhje nga Pakistani, por që ka lindur dhe jeton në Mbretërinë e Bashkuar, ka abortuar dy herë.

Ajo ka qenë e shtyrë nga burri i saj që të abortoj, pasi që pas kontrollave, ka dalë që fetusi që ajo bartte me vete të ishte vajzë.

Samira tashmë është sërish shtatzënë dhe thotë se ka frikë që nëse është vajzë, burri i saj do ta detyrojë që të abortojë sërish.

“Që kur kam ngelur shtatzënë, mendoj për këtë gjë gjithë kohës. Çfarë do të ndodhë? Jam në të vërtetë e frikësuar, dhe po kam ankthe sikur burri im më rrah dhe unë gjakosem për vdekje”.

“Kam menduar që të largohem dhe ta lind fëmijën, por puna është që unë mund t’i lë fëmijët e mi të tjerë vetëm. Nuk mund t’i lë ata, për dikë që akoma nuk ka lindur. Kjo gjë nuk do të ndodhë”.

 

Samira, ka treguar për The Independent, se abortin e parë e ka kryer në një klinikë, pasi që burri i saj e kishte detyruar doktorin që ta tregonte gjininë e fëmijës. Kur doli se ishte vajzë, ajo ishte detyruar që të shkonte të abortonte. Ajo ishte në javën e 14’të të shtatzënisë.

“Në atë kohë kisha shumë presion nga ai. Unë personalisht nuk doja që të abortoja. Por shkova sepse kisha presion nga burri sepse ai nuk donte që të kishim vajzë”.

“Nëse do të ishte djalë, unë do ta vazhdoja shtatzëninë dhe nuk do të abortoja”.

Samira tregon se si abortoi herën e dytë. Ajo tha se burri i saj dhe ajo shkuan në një klinikë tjetër për t’u kontrolluar dhe kur doli se ishte përsëri vajzë, ajo abortoi sërish.

Ajo thotë se kur shkoi për të abortuar, qante pa u ndalur. Ajo tha se kishte frikë se nëse nuk abortonte burri i saj do ta rrihte aq shumë sa fëmija do të vdiste brenda saj.

“Doja vetëm që ata të ndalonin. Doja që të ikja me vrap që andej, por shtrohet pyetja se ku do të shkoja? Çfarë do të bëja. Një ditë përpara se të shkoja për të abortuar e pash se atë çfarë po bënte ai (burri i saj) ishte shumë gabim. U ndjeva se nuk mund të merrja një vendim timin, dhe nëse unë do të mund të vendosja, sigurisht që do ta lindja fëmijën dhe pastaj ai ndoshta ai do t’i jepte fund shtatzënisë vet. Ai ka shumë gjasa që do të më rrihte shumë, deri në atë masë sa fëmija do të vdiste brenda meje. Isha shumë e frikësuar për këtë fakt”.

“Gjëja më e keqe ishte se kur hyra në sallë, unë kisha një krijesë brenda meje e cilën po e ndjeja, dhe kur dola, edhe pse e prekja barkun nuk ndjeja asgjë. Vazhdoja që ta prekja barkun dhe doja aq shumë që të bërtisja, por zëri nuk më dilte. Doja fëmijën tim sërish”.

Samira thotë se arsyeja pse burri i saj nuk dëshiron të ketë vajza është se ato kur të rriten do të lidhen me djem, dhe ai ka frikë se nuk do të mund ta kontrolloj atë.

“Praktikisht, arsyet e tij janë se , ai mendon se kur ato rriten, dalin me djem. Ai tha se ai nuk mund t’i mbështeste ato kur të rriteshin. Ai nuk do të ishte në gjendje që t’i kontrollonte ato, kur të vinin në fazën që do të bënin të dashur”.

Rastet e aborteve selektive janë shtuar kohëve të fundit edhe në Britaninë e Madhe. Rasti i Samirës nuk është i vetmi.