Abelard Tahiri thumbon Kurtin për fusnotën: Nga e thënë në të bërë qëndron një mal i tërë

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka folur para gazetarëve pas mbledhje së kryesisë së Kuvendit ka komentuar përfaqësimin e kryeministrit Kurti dje me fusnotë të Kosovës në takimin e Këshillit për Stabilizim-Asociim në Bruksel.

Lajme

08/12/2021 14:20

Tahiri tha se Kurti e kishte kundërshtuar fusnotën por tani as nuk e ka ngritur si shqetësim, e kur gjykohet sot për kryeministrin Kurti nga e thënë në të bërë është një mal i tërë.

“Ne nuk kemi parë asgjë të re vetëm se z. Kurti në vazhdimësi po vepron në kundërshti me atë që ka premtuar, kryeministri Kurti sa ishte në opozitë e kishte kundërshtuar fusnotën, kurse tash nuk e pamë se e ka ngritur si shqetësim në BE që Kosova të përfaqësohet pa fusnotë dhe ka vazhduar siç kanë vazhduar kryeministrat e tjerë. Kur e gjykojmë sot nga e thëna në të bërë për zotin Kurti si duket qëndron një mal i tërë”, tha Tahiri.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar që të ulet dje në një tavolinë në Bruksel ku përpara tij, në një tabelë të bardhë, shkruhej me të zezë emri i Kosovës me fusnotë. Kjo gjë ka nxitur edhe reagime e raportime në media, meqë para 9 vjetësh, vetë Kurti si opozitar e kishte konsideruar fusnotën si tradhti ndaj shtetit të Kosovës që kishte shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008.