Abdixhiku: Refuzimi i 21 amendamenteve të LDK-së ishte refuzim i zhvillimit dhe interesit publik
Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas mosmiratimit të 21 amendamenteve të propozuara nga LDK-ja për Buxhetin e Kosovës, duke e cilësuar këtë si refuzim të zhvillimit dhe të së ardhmes së vendit. Sipas tij, amendamentet e paraqitura nuk ishin partiake, por në interes të përgjithshëm të qytetarëve. “21 amendamente të…
Lajme
Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas mosmiratimit të 21 amendamenteve të propozuara nga LDK-ja për Buxhetin e Kosovës, duke e cilësuar këtë si refuzim të zhvillimit dhe të së ardhmes së vendit.
Sipas tij, amendamentet e paraqitura nuk ishin partiake, por në interes të përgjithshëm të qytetarëve. “21 amendamente të LDK-së për Buxhetin e Kosovës u refuzuan. Me to u refuzua zhvillimi. U refuzua e ardhmja. U refuzua interesi publik. Fundja nuk ishin të LDK-së, ishin të vet Kosovës”, ka deklaruar Abdixhiku, transmeton lajmi.net.
Ai ka theksuar se ndër projektet kryesore që nuk morën mbështetje ishin Unaza e Kryeqytetit, mësimi tërëditor në Kosovë, digjitalizimi i shëndetësisë, ndërtimi i Spitalit të Prishtinës, digjitalizimi i të gjitha shkollave, si dhe Memoriali i Kosharës dhe Muzeu i Lubeniqit.
“Ky nuk ishte refuzim teknik. Ishte refuzim politik i vizionit, i zhvillimit dhe i përgjegjësisë shtetërore. Dhe për këtë ndjejmë vetëm keqardhje”, është shprehur ai.
Abdixhiku ka shtuar se refuzimi i këtyre projekteve prek drejtpërdrejt qytetarët, duke përmendur mungesën e mësimit tërëditor për fëmijët, shërbimet moderne shëndetësore për pacientët dhe zhvillimin e infrastrukturës në Kryeqytet. Ai ka kritikuar gjithashtu qasjen ndaj projekteve që lidhen me historinë, si Kosharja dhe Lubeniqi.
Në fund, kreu i LDK-së ka bërë të ditur se partia e tij do të vazhdojë të shtyjë përpara projekte që, sipas tij, përfaqësojnë interesin real të qytetarëve dhe zhvillimin afatgjatë të vendit./lajmi.net/