Abdixhiku: Mosliberalizimi i vizave lajm hidhërimi, lëvizja lirshëm e kosovarëve e drejtë bazike njerëzore

Lajme

23/06/2022 22:01

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka parë si lajm hidhërimi mosliberalizimin e vizave, teksa e ka cilësuar të lëvizurit lirshëm nga ana e kosovarëve si të drejtë bazike njerëzore.

Abdixhiku ka thënë kështu në ‘Facebook’-un e tij, teksa ka rikujtuar edhe rezolutën e përbashkët me EPP-në për liberalizim vizash ndaj Kosovës, shkruan lajmi.net.

“Mosliberalizimi i vizave është lajm hidhërimi që vendi ynë nuk e meriton dot. Përpjekja për liri të lëvizjes për qytetarët tanë, duhet të jetë angazhim i përbashkët i secilit patriot që synon ankorimin e Kosovës në bashkësinë e kombeve të lira, demokratike e prosperuese, në familjen euroatlantike. LDK, këtë rol do ta ushtrojë. Prandaj një muaj më parë, së bashku me eurodeputetë e delegatë të EPP, nxorrëm një rezolutë që kërkonte mu këtë. Do të bëjmë rolin tonë mbështetës kudo që mundemi, sa herë që mundemi”, ka deklaruar Abdixhiku.

“Tani është radha e vendeve të BE-së t’i japin Ballkanit Perëndimor vizion të qartë e të guximshëm – Kosovës, minimalisht liberalizim vizash. Çdo përfundim ndryshe nga ky Samit, është inkurajim i forcave destabilizuese në Ballkan”, përfundon ai. /Lajmi.net/