Abdixhiku-Kurtit: Po flet si analist e opozitar, kërko përgjegjësi e vepro

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, po flet si analist e opozitar, e nuk e kupton që është udhëheqës i shtetit. Kështu ka thënë Abdixhiku në Facebook, ku ka shtuar se, Kurti nuk do të duhej të priste mbi 100 ditë për të vënë një…

Lajme

01/12/2022 11:52

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, po flet si analist e opozitar, e nuk e kupton që është udhëheqës i shtetit.

Kështu ka thënë Abdixhiku në Facebook, ku ka shtuar se, Kurti nuk do të duhej të priste mbi 100 ditë për të vënë një ministër të shëndetësisë, nëse i pari i qeverisë do të donte shërbime më të mirë spitalore e siguri brenda spitaleve, shkruan lajmi.net.

Kryetari i LDK-së i ka kërkuar Kurtit që të kërkojë përgjegjësi, të marr masa dhe të veprojë.

Postimi i plotë:

Kryeministri na flet si analist e si opozitar.

Ende nuk e kupton që është udhëheqës i shtetit.

Nëse do shërbime më të mira spitalore – dhe siguri brenda spitaleve tona – të mos presë mbi 100 ditë për të vënë një ministër të shëndetësisë. Të tretin në më pak se dy vite qeveri.

Po të donte rend e ligj, nuk do ta linte shtetin pa Kryeprokuror tash e një vit e nuk do t’ia zbriste pagat gjithë sistemit të drejtësisë, për të shkaktuar kaos aty. Një sistem i tërë drejtësie është në greve; mbi 500 lëndë në ditë shtyhen si pasojë e kësaj përplasjeje të panevojshme.

Nëse do përgjegjësi, le të merret me ministrin e Brendshëm të tij dhe gjithë zinxhirin komandues, të cilin vetë e ka caktuar ai – nga Drejtori i Policisë e poshtë.

Një grua shtatzënë kishte urdhër mbrojtje. Shteti i udhëhequr nga ai, ka rënë në çdo drejtim.

Përgjegjësi kërko Kryeministër! Merr masa, vepro.

Për atë punë je aty. /Lajmi.net/