Abazoviq kryeministri i tretë shqiptar në Ballkan?

Kryetari i Lëvizjes Qytetare për Reformën e Bashkuar (URA), Dritan Abazoviq, pritet që nesër ta propozojë formimin e një qeverie të pakicës, si zgjidhje për krizën politike në Mal të Zi.

Lajme

16/01/2022 23:32

Oferta e kësaj partie për subjektet e tjera parlamentare pritet të prezantohet nesër përmes një konference për medie, ndërsa palët që pritet të përfshihen në këtë model janë mbledhur sonte për ta dhënë konceptin final.

Siç ka mësuar jozyrtarisht Portali i Radiotelevizonit Publik të Malit të Zi nga disa burime, qeveria e re do të përbëhet nga URA, SNP dhe partitë e pakicës. Kjo është diskutuar me përfaqësues të partive shqiptare dhe boshnjake. Sipas këtij propozimi, në Qeveri nuk do të kishte përfaqësues të DPS dhe DF.

Qeveria aktuale duhet të shkarkohet në mënyrë që të zgjidhet një e re. Që të bëhet kjo duhet një interpelancë, e cila duhet të nënshkruhet nga 27 deputetë. Grupi politik që mbron këtë model nuk ka aq shumë firma deri më tani.

Nëse Abazoviq arrin që të bëhet kryeministër i Malit të Zi, ai do të bëhej i pari shqiptar që mban një post të tillë atje.

Po ashtu, tri shtete në Ballkan do të kishin kryeministra shqiptarë. Republika e Kosovës me kryeministër, Albin Kurtin dhe Republika e Shqipërisë, me Edi Ramën.

Në anën tjetër, shqiptarët mbajnë edhe pozitat e tre diplomatëve kryesorë në shtetet e Ballkanit.

Maqedonia e Veriut ka ministër të Jashtëm, Bujar Osmanin.

Kosova ka ministre të Jashtme Donika Gërvallën, ndërsa Republika e Shqipërisë, Olta Xhaqkën.

Shqiptarët janë të emëruar edhe në pozitat e tri kryetarëve të Kuvendit në Maqedoni të Veriut, Kosovë e Shqipëri. Talat Xhaferi, Glauk Konjufca dhe Lindita Nikolla kanë këto tri pozita në tri shtetet respektivisht.