Abazoviq: Elitat politike që promovojnë nacionalizmin, nuk e bëjnë për patriotizëm por për të mbajtur status quo-në

Lajme

14/05/2022 18:18

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, është deklaruar rreth idesë së Ballkanit të Hapur, për të cilën ka thënë se gjithçka që ndihmon për të hyrë sa më shpejt në Bashkimin Evropian e ka përkrahjen e tij.

Megjithatë, ai është shprehur se ata nuk janë të interesuar për diçka që mund të shihet si zëvendësim i integrimit evropian, shkruan lajmi.net

“Për mua edhe kjo situatë është e thjeshtë dhe s’duhet dramatizuar. Çdo gjë që mund të përdoret si një mjet për integrimin e shpejtë në BE është diçka e mirë. Për çdo gjë tjetër që mund të shihet si zëvendësim i integrimit evropian, ne nuk jemi të interesuar. Pra, gjithçka që na ndihmon që të hyjmë më shpejt në BE, si rajon apo si shtet, për ne është ok”, ka thënë Abazoviq.

Ai ka shtuar se duhet të ketë më shumë besim, komunikim më të mirë, pasi që çdo nismë, si ajo e Ballkanit të Hapur dhe të tjera, kanë vetëm një mesazh, e ai është bashkëpunimi rajonal

“Jo! Këto janë në përputhshmëri me njëra-tjetrën. Problemi është se njerëzit në Ballkanin Perëndimor përpiqen të dramatizojnë çdo çështje. Procesi i Berlinit, CEFTA, “Ballkani i hapur” apo çdo nismë tjetër kanë si mesazh të përbashkët bashkëpunimin rajonal. Emri është i parëndësishëm. Po çfarë na nevojitet ne? Na duhet më shumë besim, komunikim më i mirë, projekte të përbashkëta, më shumë bashkëpunim mes vendeve dhe qeverive. Këto na nevojiten. Dhe nga këndvështrimi im, gjithçka shkon në këtë drejtim, është gjëja e duhur”, ka shtuar ai.

Me tej ai ka thënë se, sipas tij, nacionalizmi është i lidhur thellësisht me korrupsionin dhe se elitat politike që promovojnë diçka të tillë, nuk e bëjnë për patriotizëm por për të mos lejuar ndërtimin e institucioneve.

“Na duhen më pak tensione, depolarizim i rajonit, dhe për këtë na duhet t’i besojmë njëri-tjetrit dhe jo ta shohim çdo propozim që vjen nga përtej kufirit si diçka armiqësore.Ne nuk i shohim fqinjët tanë si armiq. I shohim si fqinjët tanë, si miqtë tanë, me shumë respekt dhe po përpiqemi të sjellim energji të reja dhe politikë të re në rajon. Mbase teza ime nuk është e saktë, por unë besoj fuqimisht tek ajo: që nacionalizmi është thellësisht i lidhur me korrupsionin. Dhe elitat politike që duan të promovojnë nacionalizmin, nuk e bëjnë këtë për patriotizëm, po për të mbajtur status quo-në dhe për të moslejuar ndërtimin e institucioneve. Sepse kur ndërtojmë institucione, dhe këtu nuk i referohem vetëm Malit të Zi por edhe rajonit, kur ndërtojmë institucione të forta atëherë marrëdhëniet mes njerëzve do të jenë më të mira, pavarësisht se çfarë shteti apo grupi fetar që përfaqësojnë. Pra, shoh një lidhje mes tyre”, ka thënë Abazoviq për Deutche Welle.

Kujtojmë se Dritan Abazoviq është zgjedhur kryeministër i Malit të Zi në fund të muajit të kaluar, duke u bërë kështu hera e parë që Ballkani Perëndimor ka tre kryeministra shqiptarë, atë të Kosovës, Shqipërisë dhe të Malit të Zi. /Lajmi.net/