Abazoviq e jep “recetën” për Ballkanin Perëndimor: Më pak për të kaluarën, më shumë për të ardhmen

Kryeministri shqiptar në Mal të Zi, Dritan Abazoviq, tha se kishte "një recetë për një të ardhme më të mirë për Ballkanin Perëndimor: më pak për të kaluarën, më shumë për të ardhmen".

Lajme

14/06/2022 08:28

Ai këto deklarata i ka bërë përgjatë një interviste, teksa është pyetur edhe për iniciativën “Ballkani i Hapur”. Për këtë të fundit, kryeministri malazez ka thënë se mund të bëhet si urë paqeje mes Lindjes dhe Perëndimit, përcjell lajmi.net.

“Kur e ardhmja e Ballkanit Perëndimor diskutohet hapur, në një mënyrë krejtësisht të ndryshme nga zakonisht, pa adresuar tema që provokojnë konflikte, atëherë ne po i dërgojmë një mesazh krejtësisht tjetër botës”, tha Abazoviq, i cili mori pjesë në samitin e fundit të “Ballkanit të Hapur” në Ohër.

Ai theksoi se Bashkimi Evropian “nuk dëshiron të importojë probleme”.

“Prandaj dialogu dhe qasja jonë gjithëpërfshirëse mund të ketë jo vetëm efekte pozitive për qytetarët, por edhe përfitime të politikës së jashtme për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Abazoviq. /Lajmi.net/