AAK&Nisma: S’ka më gaz lotsjellës në Kuvend, kemi mënyra tjera

11:40 | 13 Korrik 2016

Shefat e Grupeve Parlamentare të AAK-së e Nisma-s kanë kërkuar edhe sot nga deputetët që të mos votojnë Demarkacionit me Malin e Zi.

Ata kanë kërkuar që të lihen anash interesat  personale, ngase sipas tyre, Demarkacioni është çështje nacionale, raporton lajmi.net.

Në konferencën e përbashkët për media nga AAK e Nisma  u tha se Qeveria e Kosovës është duke tentuar që në mënyrë tinëzare të ratifikojë këtë marrëveshje.

Pal Lekaj nga AAK  tha se nëse i besojnë komisionit shtetëror ata do ta bënin një gabim shumë të madh.

“Ftojmë deputet e Kuvendit të Kosovës që t’i thërrasin mendjes dhe mos ta votojnë demarkacionin. Nëse ne si deputet i besojmë komisionit shtetëror do të bëjmë gabim të madh ku do të na mallkojnë shumë gjenerata. Ne si deputetë jemi për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe votimi i kësaj marrëveshje është në dëm të vendit. Ne se kemi harruar as Asocacionin të cilën normalisht se e kundërshtojmë”, tha Lekaj.

Nga ana tjetër edhe Valdete Bajrami nga Nisma ka bërë thirrje ndaj të gjithë deputetëve pa marr parasysh se cilës parti i takojnë që mos ta votojnë këtë marrëveshje.

“Kjo është një çështje nacionale dhe se cili deputet të lë anash interesat personale apo partikae kur është fjala për interes nacional”, shtoi ajo.

Bajrami ka thënë se për mënyrat e kundërshtimit të kësaj marrëveshje do të vendosin në organet e partive.

Lekaj ka thënë se më gaz lotsjellës nuk do të përdorin, por që do të përdorin mjete tjera për ta bllokuar këtë marrëveshje./Lajmi.net