AAK u përgjigjet me refuzim kërkesave të LDK-së për kryeministrin

Kërkesave në rritje të LDK-së për ndryshim të marrëveshjes së LAN-it, po vazhdon të u përgjigjet me refuzim AAK-ja, e cila nuk po pranon që të heq dorë nga posti i kryeministrit, të cilin ja garanton marrëveshja e 10 qershorit. 

Lajme

16/11/2014 18:00

Avni Arifi, këshilltari politik i liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj në një prononcim për lajmi.net, ka thënë se marrëveshja e 10 qershorit e nënshkruar në mes të subjekteve politike LDK-AAK-Nisma, vazhdon të jetë në fuqi.

Sipas tij, AAK ka qëndrim të njëjtë sikurse edhe më parë, se marrëveshja nuk duhet ndryshuar, sidomos në pikën ku tani po insiston LDK.

Në pyetjen nëse AAK është e gatshme t’u përgjigjet kërkesave të LDK-së, që marrëveshja e Bllokut LAN të ndryshohet në pikën ku për kryeministër do të nominohej lideri i LDK-së, Isa Mustafa, Arifi thotë se AAK vazhdon të mbajë qëndrimin e mëhershëm, dhe se nuk ka ndryshim të marrëveshjes.

Ndërsa sa i përket takimit të sotëm në mes të liderit të AAK-së Ramush Haradinaj dhe atij të Nismës, Fatmir Limaj, Arifi thotë se këtë nuk mundet ta konfirmoj.

“Ajo ajo çfarë mund të them, është se nuk ka pasur takim mes liderëve të Bllokut LAN. Ndodhë ndonjëherë që liderë nga blloku të pinë kafe së bashku, por këtë nuk mund ta konfirmojë”, ka thënë Arifi. Sot në media u raportuar se Limaj ka takuar Haradinajn, me qëllim mos lejimin e prishjes së Bllokut LAN. (lajmi.net)