Në AAK nuk shqetësohen për mundësinë e largimit nga selia

“Për AAK-në, nuk përben shqetësim ky lajm për faktin se nuk është hera e pare që media të caktuara publikojnë lajme të tilla, kryesisht spekulative”, tha Tolaj për lajmi.net.

Lajme

05/02/2016 15:04

Në selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), së shpejti mund të vendoset mbishkrimi se aty është Ministria e Bujqësisë.

Kështu së paku kanë raportur mediat prishtianse një ditë më parë sipas të cilave, në selinë ku tash është AAK-ja, pritet të vendoset kjo ministri.

Kjo pasi në selinë aktuale të Ministrisë së Bujqësisë, pritet të vendoset Presidenca.

Derisa në Ministriën e  Bujqësisë, Shkelzen Dragaj, zyrtar në këtë institucion, tha një ditë më parë për lajmi.net se ata nuk kanë marrë asnjë shkresë zyrtare për këtë zhvendosje eventuale, por megjithatë kanë dëgjuar të diskutohet si ide, sot në AAK thonë se nuk dinë asgjë për këtë lëvizje eventuale.

Në përgjigje zyrtare për lajmi.net, nga AAK-ja thonë se nuk janë njoftuar formalisht e  as joformmalisht për mundësinë e këshimit të objektit nga ana e tyre.

Madje Valon Tolaj, Sekretar Ekzekutiv i AAK-së, tha për lajmi.net  se ky është vetëm një spekulim i medieve.

“Për AAK-në, nuk përben shqetësim ky lajm për faktin se nuk është hera e pare që media të caktuara publikojnë lajme të tilla, kryesisht spekulative”, tha Tolaj.

Sipas tij,  kontrata për shfrytëzim të objektit ku është selia aktuale e AAK-së nuk mund të shkëputet në mënyrë të njëanshme.

“Për korrektësi, ne kemi kontratë për shfrytëzim të objektit ku është vendosur selia e AAK-së. Deri tani nuk kemi as indikacione, e aq me pak njoftim formal, për ndonjë kërkesë për shkëputjen e kontratës” , tha Tolaj për lajmi.net.

Selia aktuale e AAK-së ndodhet në lagjen ‘Ulpiana’ në Prishtinë dhe aty është që nga themelimi i kësaj partie më shumë se një dekadë më parë./lajmi.net