AAK: Qeveria mos t’i ndërlidhë dështimet me formimin e FAK-ut

13:27 | 14 Korrik 2016

Departamenti për Politika të Mbrojtjes dhe të Sigurisë DPMS i AAK –së, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që çështjen e demarkacionit mos ta ndërlidhë me formimit të Ushtrisë së Kosovës.

Sipas një komunikate të kësaj partie, kërkohet nga Qeveria që të mos i ndërlidhë situatat e dështuara të saj në mes të FAK-ut, ASK dhe Demarkacionit, si gjoja kusht që të këto tri çështje  të ndërlidhen mese veti.

“Qeveria nuk duhet të fshehë dështimet e saj, por duhet t’i ndalë mashtrimet ndaj qytetarëve të Kosovës dhe Kuvendi duhet menjëherë ta themelojë Ushtrinë e Kosovës, para sesionit vjeshtor, e jo të përfillë apetitet dhe kushtëzimet e Listës Serbe për FAK-un”.

“FAK-u, Ushtria e Kosovës si çështje obligim kushtetues e politik i kësaj qeverie, është dashtë të bëhet menjëherë pas formimit të panatyrshëm të saj! Pra që në muajin e parë qeverisës dhe jo të krijohet ky vakum kohorë dhe politik, duke iu krijuar hapësirë si brenda e poashtu edhe jashtë ndikimit të Serbisë dhe faktorëve të tjerë destruktiv, në këtë rast edhe të manipulohet opinion publik se gjoja Demarkacioni me Malin e Zi, është kusht për FAK –un. Talljet e tilla nga kryeministri janë të papranueshme dhe jo që nuk ndikojnë në krijimin e FAK-ut, por shpërfaqjet e tilla, janë në dëm të së ardhmes së Ushtrisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu nga Departamenti për Politika të Mbrojtjes dhe të Sigurisë së  AAK-së, kërkohet nga Qeveria Kosovës të këtë prioritet formimin e FAK-ut dhe një gjë të tillë ta bëjë sa më shpejt, transmeton lajmi.net.

Ne, si Departament për Politika të Mbrojtjes dhe të Sigurisë, i AAK –së, kërkojmë me ngulm, që FAK-u, përkatësisht Ushtria e Kosovës të konsiderohet prioritet strategjik, i ndarë nga çdo përpjekje për ta manipuluar apo kamufluar me situata të tjera dhe si prioritet strategjik nacional  për Kosovën, të realizohet përpara çdo lloj nisme në Kuvend dhe menjëherë të veprohet në themelimin e tij.