AAK për shpërbërje të Parlamentit, por preferon shkarkimin e Qeverisë

Pas deklaratës së kreut të LDK-së, Isa Mustafa, për shpërbërjen e Parlamentit të Kosovës javën që vjen, Lajmi.net ka kontaktuar me Burim Ramadanin e AAK-së, i cili ka deklaruar se kjo parti preferon shkarkimin e qeverisë Thaçi, por “në mungesë të saj, ne do ta votonim shpërbërjen e Parlamentit, në mënyrë që të shkohet në zgjedhje”. 

Lajme

20/04/2014 14:08

Ramadani i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e ka cilësuar marrëveshjen ndërmjet kreut të PDK-së, Hashim Thaçi, dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa, si marrëveshje të ditës së Shën Valentinit.

“Marrëveshje për shpërbërjen e  Parlamentit është marrëveshje e ditës së Shën Valentinit në mes të Thaçit dhe Mustafës”.

“Një ditë Pasi kemi filluar ne mocionin për ta shkarkuar Qeverinë, Mustafa është takuar me Thaçin dhe e kanë bërë këtë marrëveshje. Tani do ta mbajnë apo jo është çështje e dashurisë”.

“Por, ne besojmë se Qeveria duhet të shkarkohet dhe vendi të shkojë në zgjedhje”.

Sipas Burim Ramadanit, “Mustafa po e amniston Thaçin me marrëveshjen që e ka bërë ditën e Shën Valentinit, por sidoqoftë, nëse vjen në Kuvend, ne do të bëjmë gjithçka që të shkojmë në zgjedhje”.

“Ne preferojmë shkarkimin e Qeverisë, por, në mungesë të saj, ne do ta votonim shpërbërjen e Parlamentit që të shkohet në zgjedhje”, ka theksuar sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani  .

“Ne mendojmë se mënyra më e mirë për të shkuar në zgjedhje është shkarkimi i Qeverisë, sepse nuk mund të shkohet në zgjedhjet duke e amnistuar Thaçin”, ka shtuar në fund Ramadani për Lajmi.net.

Për shpërbërjen e Parlamentit nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve. Ky numër nuk mund të arrihet pa mbështetjen edhe të AAK-së, pasi që dihet se deputetët e pakicave po i kushtëzojnë votat e tyre përkrahëse me vazhdimin e vendeve të rezervuara të paktën edhe për një mandat katërvjeçar.

Lajmi.net tentoi të marrë prononcime edhe nga disa liderë të Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me deklaratën e Isa Mustafës, por asnjëri nga ta nuk u përgjigj në telefon.