AAK për MSA-në: Nënshkrimi i saj nuk është garanci për rrugën drejt BE-së

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka përshëndetur nënshkrimin e sotëm të MSA-së në mes të Kosovës dhe BE-së, por sipas tyre, jo domosdoshmërisht kjo marrëveshje është garanci për rrugë të shpejtë për anëtarësim në BE.

Lajme

27/10/2015 14:51

Sepse siç thekson ky subjekt, anëtarësimi në BE është drejtpërdrejt i ndërlidhur me nivelin e qeverisjes së brendshme dhe demokratizimin në tërësi, raporton lajmi.net.

Madje ata thonë se nënshkrimi i MSA-së është si rezultat i një përpjekjeje të disa brezave qeverisës të Kosovës, prandaj, ata vlerësojnë se si e tillë është një hap i rëndësishëm.

Ky është njoftimi i plotë i AAK-së:

Megjithëse MSA-ja e nënshkruar sot në Strazburg nuk është plotë, siç ka qenë për vende tjera, ajo është rezultat i një përpjekjeje të disa brezave qeverisës të Kosovës, prandaj si e tillë është një hap i rëndësishëm.

Nënshkrimi i MSA-së jodomosdoshmërisht është garanci për rrugë të shpejt për anëtarësim në BE, sepse anëtarësimi në BE është drejtpërdrejt i ndërlidhur me nivelin e qeverisjes së brendshme dhe demokratizimin në tërësi.

Shembull krahasues:

Kroacia dhe Maqedonia e kanë nënshkruar MSA-në në vitin 2001. Madje, Kroacia e ka nënshkruar 6 muaj dhe 20 ditë pas Maqedonisë, por Kroacia ka një kohë që është anëtare e BE-së, ndërsa Maqedonia është shumë larg në rrugëtimin e saj!

Fatkeqësisht, Kosova është e fundit që e nënshkruan këtë marrëveshje dhe institucionet e Kosovës do të kenë sfida të mëdha para vetes në plotësimin e kritereve që i kërkon kjo marrëveshje.

Pika më e dobët e Kosovës aktualisht është cilësia e qeverisjes, për përmirësimin e së cilës AAK është e vendosur./ lajmi.net