AAK nuk tërhiqet me asnjë kusht nga marrëveshja për kryeministrin
Pas pajtimit në LAN që të hiqet dorë nga posti i kryeparlamentarit, i cili me marrëveshjen e 10 qershorit do t’i takonte liderit të LDK-së, Isa Mustafa, kjo parti po kërkon ndryshim të marrëveshjes, duke pretenduar postin e kryeministrit i cili i ishte garantuar liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj. Por një burim në udhëheqësinë e AAK-së i ka thënë agjencisë lajmi.net, se Haradinaj me asnjë kusht nuk do të pranojë ndryshim të marrëveshjes në këtë pikë.
Lajme
Lidhja Demokratike e Kosovës, po kërkon ndryshimin e marrëveshjes së 10 qershorit me të cilën u formua Blloku LAN. Partia e Isa Mustafës tani po e kërkon postin e kryeministrit, post të cilin vetë ja kishte ofruar liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Por ky i fundit pavarësisht rrezikut që po e kanos Bllokun, i cili arriti të qëndrojë i bashkuar për më shumë se pesë muaj, nuk e ka në plan të pranojë ndryshimin e marrëveshjes në atë pikë përmes së cilës ai më nuk do të ishte i nominuari i Bllokut për kryeministër të Kosovës.
Këtë e ka thënë sot për lajmi.net, një burim nga strukturat udhëheqëse të AAK-së.
Partia e Haradinajt, sipas këtij burimi është shumë e zhgënjyer me lojën që ka filluar LDK, pasi sipas tyre, është vetë ajo që kishte iniciuar këtë Bllok, duke ja ofruar AAK-së postin e kryeministrit.
“AAK ka hyrë në këtë ‘lojë’, pasi vetë LDK ka ardhur me ofertë duke i premtuar postin e kryeministrit”, ka thënë ky burim.
Në rastin tjetër, pa Haradinajn kryeministër, sipas këtij burimi, kjo parti do të shkonte që në fillim me PDK-në, dhe do mund të merrte më shumë hapësirë në qeverisje, dhe vendi nuk do të futej fare në ngërç për gjithë këta muaj.
“AAK nuk e ka në plan të tërhiqet nga kjo marrëveshje, pasi kjo do të ishte e pa dinjitetshme për kryetarin Ramush Haradinaj”, ka thënë burimi me të cilin ka biseduar lajmi.net.
Ndryshe, LDK ka filluar të kërkojë ndryshimin e marrëveshjes së 10 qershorit, duke kërkuar që posti i kryeministrit t’i takojë Isa Mustafës, pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i ka mohuar atij postin e kryeparlamentarit, i cili me Kushtetutë, i garantohet partisë e cila ka dalë e para në zgjedhjet e fundit parlamentare, në këtë rast PDK-së. (lajmi.net)