AAK ngrit padi për Gazmend Muhaxherin

Ardian Gjini thotë se AAK ka bërë padi ndaj Gazmend Muhaxherit të LDK’së, pas deklarimeve të tij se struktura të AAK’së janë përgjegjëse për disa vrasje në Rajonin e Dukagjinit.

Lajme

27/11/2013 22:50

Ardian Gjini ka komentuar raportet midis LDK’së dhe AAK’së, pasi dy partitë u përfshinë në një polemikë të ashpër ditëve të fundit.

Tensionet nisën kur Kandidati i LDK’së për Pejën, Gazmend Muhaxheri, i bëri përgjegjëse strukturat e AAK’së për disa vrasje të pasluftës në Rajonin e Dukagjinit.

Nënkryetari i AAK’së, Ardian Gjini, në një bisedë për Interaktiv të KTV’së, ka thënë se nuk ka pasur nevojë që Kosova të kthehet në temat të cilat politika kosovare dhe opinioni publik kanë provuar t’i spastrojnë prej fjalorit që ka ekzistuar kohë më parë.

Ai e ka quajtur këtë si storie të dhimbshme, ndërsa ka bërë të ditur se AAK tashmë ka bërë padi ndaj Gazmend Muhaxherit.

“Gazmend Muhaxheri do të përballet me Gjykatën.”

“Në variantin e parë, nëse ai e di se kush i ka vrarë ata njerëz, e nuk ka treguar, kjo përben vepër penale. Kushdo që e fsheh krimin që e di, përbën vepër penale. Prandaj, ai të shkojë në Gjykatë për këtë. Dhe, për këtë, merret dënimi me burg.”

“Në variantin e dytë, nëse nuk e ka ditur kush i ka bërë ato vrasje, por vetëm ia ka futur kot, atëherë do të përballet me Gjyqin për shpifje të rëndë.”

“Ne sot kemi bërë padi për Z. Muhaxheri dhe ai tash do të përballet me Gjyqin”.

Ardian Gjini e ka quajtur “frikacak” Gazmend Muhaxherin.

Sipas tij, “trim” do të ishte ai që, nëse di diçka për vrasjet, shkon dhe tregon në Prokurori, e jo të dalë me deklarata të tilla në publik për të fituar vota.

“Në të njëjtën kohë me siguri se Prokurori e Shtetit do të merret me këtë temë, do ta marrë në pyetje Z. Muhaxheri. Nëse Prokuroria e Shtetit nuk reagon shpejt, ne do ta ngremë këtë çështje në instancat më të larta të shtetit, prej Parlamentit e tutje. Prokuroria e Shtetit dhe Prokurori i Përgjithshëm duhet të merret me këtë temë urgjentisht”, ka thënë Ardian Gjini për Interaktiv të KTV’së.

Gjini, po ashtu, ka pohuar se gjatë ditës së mërkurë ka marrë telefonata nga zyrtarë të LDK’së, të cilët, sipas tij, kanë deklaruar se nuk është qëndrim i LDK’së ajo që ka deklaruar Gazmend Muhaxheri.

“Më kanë thënë se nuk është qëndrim i LDK’së ajo që ka thënë Muhaxheri, që nuk mendojnë se marrëdhëniet LDK-AAK, të cilat kanë një traditë të gjatë prej vitit 2004, guxojnë të prishen për këto tema”.