AAK: Ndërtimi i shtëpive në Zveçan përpjekje për kolonizimin e tretë të Kosovës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka reaguar lidhur më paralajmërimin se sot në Zveçan do të nisë ndërtimi i 300 shtëpive për serbët, projekt ky i financuar nga Qeveria e Serbisë, është përpjekje për kolonizimin e tretë të Kosovës.

Lajme

09/06/2016 13:08

Përmes një komunikate të lëshuar për media, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka për obligim kushtetues ta mbrojë vendin nga ndërhyrjet e jashtme, siç është edhe ky i sotmi, ose nëse nuk ka fuqi ta bëjë një gjë të tillë, ajo duhet që urgjentisht të tërhiqet nga detyra, të cilën s’po mund ta realizojë.

“Asnjë qeveri nuk mund ta shndërrojë Serbinë në hisedar të Kosovës, dhe mosreagimi i qeverisë dhe institucioneve të tjera të Republikës së Kosovës, është i barabartë me tradhti kombëtare. Aq më tepër vazhdimi i dialogut Prishtinë-Beograd, në një situatë të tillë, kur Serbia nuk e përfill as shtetin as Qeverinë e Prishtinës, s’ka më asnjë kuptim”, thuhet në komunikatë.

AAK beson se ndërtimi i 300 shtëpive për serbët nga Q everia e Serbisë dhe në territorin e Kosovës, nuk mund të konsiderohet ndryshe përpos si shkelje e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

“Edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, është mirë ta rikthejnë edhe njëherë betimin e dhënë dhe të mos mblidhen në seanca ku diskutohen çështje krejt ordinere, sikur Kosova është në normalitet.

Kjo që po ndodhë sot në Zveçan, është rikthim klasik i Serbisë në Kosovë!”, thuhet tutje në komunikatë.