AAK-ja reagon për dëmtim të billbordit, PDK-ja dënon aktin

Dega e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Ferizaj ka reaguar ndaj dëmtimit të billbordit të vendosur në nënkalimin e qytetit tek sheshi\"Adem Jashari\". Shtabi zgjedhor i këtij subjekti ka shprehur indinjatën e thellë për ashpërsimin e fushatës zgjedhore qysh në ditët e para të saj.


Lajme

29/05/2014 18:11

\”Billbordi i cili gjendej në nënkalimin e qytetit tek sheshi “Adem Jashari” është mbishkruar me ankorimin “PDK” mbi fytyrën e liderit të Aleancës, Ramush Haradinaj, si dhe kryetarit të degës njëherësh kandidatit për deputet në Kuvendin e Kosovës, Xhavit Zariqi“, ka thënë shefi i shtabit të kësaj dege Alberton Sahiti.

Sipas tij, nuk është hera e parë që billbordet e këtij subjekti dëmtohen në këtë hapësirë. Sahiti tha se njëjtë është vepruar edhe në zgjedhjet e fundit lokale të 2013-ës.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i shtabit zgjedhor të PDK-së, i cili përmes një komunikate për medie ka dënuar ashpër dëmtimin e billbordeve të AAK-së në Ferizaj.