AAK është gati kurdo për zgjedhje

Nënkryetari i AAK'së, Ahmet Isufi, thotë se si subjekt kanë kërkuar që një herë të bëhet reforma zgjedhore, e pastaj të ndërmerren veprimet e duhura ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve. Por, nëse vendoset që të ketë zgjedhje në qershor, thotë se AAK është gati.

Lajme

24/01/2014 07:18

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shprehet e gatshme për t’i hyrë garës për zgjedhjet nacionale, kurdo që ato mbahen, në qershor apo shtator.

Nënkryetari i AAK’së, Ahmet Isufi, thotë për lajmi.net se si subjekt kanë kërkuar që një herë të përfundohet reforma zgjedhore, e pastaj të ndërmerren veprimet e nevojshme ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Ne jemi në një fazë kur kemi kërkuar që të bëhet reforma zgjedhore dhe pas reformës zgjedhore të bëhen veprimet e duhura ligjore që të mundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve, në afatin kohor të paraparë me ligj”.

“Megjithatë, nëse liderët politikë ose partitë politike pajtohen për afatin, që të jetë në muajin qershor, ne normalisht që jemi të përgatitur që të hyjmë në zgjedhje”.

Ndryshe, një ditë më herët Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, deklaroi se data e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë varet nga ajo se sa shpejt do të mund të kryhet reforma zgjedhore e nisur gati tre vjet më parë.

Sipas Haradinajt, zgjedhjet mund të mbahen në vjeshtë nëse nuk finalizohet shpejt puna e Komisionit Parlamentar për Reformë Zgjedhore.

Por, po ashtu, është shprehur se vetëm ndonjë zhvillim i shpejtë mund të ndikojë që këto zgjedhje të mbahen në qershor.