AAK e mbështet nismën e Thaçit për Ushtrinë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e mbështet iniciativën e presidentit, Hashim Thaçi për formimin e ushtrisë përmes ndryshimit të ligjit për FSK-në.

Lajme

05/03/2017 18:04

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, i cili ka thënë se formimi i ushtrisë përmes ndryshimit të ligjit ka qenë kërkesë edhe e këtij subjekti politik.

“Siç dihet, deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj i mbështetur edhe nga Grupi Parlamentar e ka dërguar një rezolutë në Kuvend në seancën kur është zhvilluar debati për ushtrinë ku është theksuar nevoja e bërjes së ushtrisë përmes ligjit. Kështu, Aleanca e përkrah fuqishëm iniciativën e Thaçit për formimin e ushtrisë përmes kësaj rruge, pasi dihet se Lista Serbe është pengesë për bërjen e ushtrisë me ndryshime kushtetuese”, është shprehur Lekaj.

Deputeti i AAK-së gjithashtu ka folur për çështjen e demarkacionit si kusht për liberalizimin e vizave. Lekaj ka thënë se përgjegjësia për mosliberalizimin e vizave është e Qeverisë dhe se AAK nuk ndryshon qëndrim për Marrëveshjen për Demarkacionin.

“Për këtë çështje përgjegjësi i bie Qeverisë pasi ajo i ka dy të tretat e votave. Ne e kemi qëndrimin tonë për këtë marrëveshje dhe nuk lëvizim. Ky version i demarkacionit duhet të rrëzohet me votën e deputetëve dhe pastaj të fillohet rinegocimi”, ka përfunduar Lekaj. /Lajmi.net/