AAK e kënaqur me një Drejtori në komunën e Prishtinës (Video)

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinë, Brahim Mehmetaj, lidhur me bashkëqeverisjen në mes VV-së dhe AAK-së në Prishtinë, tha se pikë kryesore e bashkëqeverisjes është marrja e obligimeve, “që ne e kemi marrë me shumë kënaqësi”.

Lajme

14/03/2016 21:57

“Unë mendoj që për me udhëheq një vend duhet me dashtë atë vend. E Gent Begolli është i Prishtinës dhe e donë shumë. Besoj se ka me bërë punë të mirë”, tha Mehmetaj, duke folur për emërimin e Gent Begollit të AAK-së, drejtor të Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës.

I pyetur nëse është e mjaftueshme për AAK-në veç një drejtori, Mehmetaj tha se AAK ka kapacitet edhe për më shumë drejtori, “por për fillim është mirë”.

“Nuk duhet me u bllokue qytetari, për shkak të konflikteve personale”, tha ndër tjera Mehmetaj, lidhur me bllokimin e punës së Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Duke folur në emisionin “Rrokum Roll” të TV Rrokum, Mehmetaj u bëri thirrje asamblistëve të kryeqytetit, që të punojnë për interes të qytetarit. Madje ai vlerësoi se këtë duhet bërë edhe nëse bien ndesh me partinë që i takojnë.

“Duke marrë parasysh profesionalizmin e drejtorit, që ne e kemi propozuar, unë besoj shumë se kemi me dalë mirë në fund të mandatit. Ne i kemi vizitua lagjet e kryeqytetit që nuk kanë trotuare. Ka lagje ku nuk shkon as autobusi e fëmijët detyrohen me ecë dy km për me shkua në shkollë”, tha Mehmetaj, duke shtuar se rezultatet e para të kësaj drejtorie do të shihen qysh në muajin e parë. /Telegrafi

YouTube player