AAK do votojë për EULEX-in dhe Gjykatën e Posaçme

Ramush Haradinaj thotë se AAK do të votojë pro vazhdimit të mandatit të EULEX-it dhe themelimit të Gjykatës së Veçantë. Sipas tij, procesi i formimit të FAK-ut do të mund të përfundonte në vitin 2018.

 

Lajme

22/04/2014 15:06

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Hardainaj, ka thënë se partia e tij në parim do të jep votën pro vazhdimit të mandatit të EULEX-it dhe formimit të Gjykatës së Veçantë për Krime Lufte.

Gjatë një konference për media ku u prezantua aderimi i disa anëtareve të ri në këtë parti, Haradinaj tha se AAK, ndonëse nuk pajtohet me themelimin e Gjykatës së Veçantë, sipas tij, kjo parti do të votojë pro këtij institucioni.

“Ne kemi mirëpritur transformimin e EULEX-it që prezenca e mëtejme këtij misioni me qenë e integruar në institucionet e vendit si një përkrahje”.

“Në e përkrahim në parim themelimin e Dhomën e Posaçme në parim, por do të shihet nesër jemi në Parlament të shohim si do të shkojë”.

“Nuk është një veprim që na pëlqen shumë por, në parim jemi përkrahës së saj”, tha Haradinaj.

Duke folur për themelimin e Forcës së Armatosur të Kosovës, Haradinaj ka thënë se ky proces do të mund të përfundonte në vitin 2018.

“Ne e kemi përkrahur krijimin e Forcës së Armatosur. Por, ne mendojmë që ka mundur të insistohet që kjo të quhej si Ushtri e Kosovës” .

“Ne kemi shprehur një shqetësim për dinamikën që i është ofruar Forcës së Armatosur të Kosovës, për shkak se afati i përfundimit të procesit të themelimit, që para shihet të kryhet deri në vitin 2022, është shumë i vonshëm”.

“Ne kemi menduar se ky proces i themelimit të FAK-ut, mund të përfundojë deri në vitin 2018”.