AAK bën fajtore Qeverinë për mos themelimin e FAK-ut

Departamenti për Politika të Mbrojtjes dhe të Sigurisë (DPMS) i AAK –së, përmes një komunikate për media kritikon veprimet e qeverisë dhe pretendimet e zv/kryeministrit Thaçi, se fajtor për dështimin e krijimit të FAK-ut, e kanë partitë opozitare.

Lajme

05/08/2015 11:32

AAK thotë se ata si parti nuk mund të cilësohen përgjegjës për këtë dështim, por përkundrazi AAK thotë se duhet të vlerësohet për insistimin e saj të vazhdueshëm që FAK-u, të krijohej qysh në mandatin e shkuar.

“Për hir të informimit të saktë të opinionit publik, AAK, respektivisht Departamenti i saj për Politika të Mbrojtjes dhe të Sigurisë, ka kërkuar në vazhdimësi, që me urgjencë të procedohej ligji për FAK –un, Ushtrinë e Kosovës. Janë disa dhjetëra insistime të AAK-së, ku është sugjeruar të procedohej projektligji për Forcat e Armatosura të Kosovës në Kuvend. Kuvendi do të duhej ta procedonte, e pastaj të akuzoheshin ose jo partitë opozitare, e posaçërisht AAK-ja për këtë dështim”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

Akuzat e tilla që AAK i quan të pabaza janë të papranueshme. Mbetja e kësaj situate për sesionin vjeshtor, AAK thotë se do t’i komp likojë gjërat akoma më shumë, duke e trimëruar e Listën Serbe që të bllokojë krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Po e ritheksojmë se Qeveria e humbi sensin strategjik për të themeluar FAK-un. Qeveria me këtë neglizhencë të papranueshme dhe paaftësi ka krijuar imazh të keq dhe përshtypjen se po tallet me të ardhmen e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe sigurinë nacionale të Kosovës, pavarësisht se cila ishte partia që pati faj pse nuk kaloi ligji për FAK-un. Kjo situatë në mënyrë eksplicite ka ardhë si rezultat i vizionit të munguar dje nga LDK-ja, dhe sot nga kualitetit të dobët të qeverisjes Mustafa –Thaçi”, thuhet më tutje në komunikatën e AAK-së.

AAK thotë se kanë qenë dhe janë kundër çdo lloj ndërhyrjeje që e anatemon substancën e të qenit ushtri tipike e Kosovës, moderne dhe në NATO. Vonesat e pakuptimta në këtë drejtim janë të paarsyeshme dhe krejtësisht të papranueshme për AAK-në.

“Ne si Departament për Politika të Mbrojtjes dhe të Sigurisë, i AAK –së, konsiderojmë se krijimin e FAK-ut, përkatësisht Ushtrisë së Kosovës, mbetët prioritet strategjik për Kosovën. Ne si parti insistojmë që kjo çështje të procedohet në Kuvend, sa më parë të jetë e mundur dhe Forcat e Armatosura të Kosovës, të mos mbeten peng e pazareve politike ndërmjet Qeverisë dhe Listës Serbe”, thuhet në komunikatën e AAK-së./Kosovapress/