AAK: As me PDK, as me LDK

AAK përgënjeshtron raportimet për afri me PDK’në në prag të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit. Burim Ramadani thotë se AAK është e përgatitur të dalë në zgjedhjet e ardhshme me partnerin e vet, LDD’në, për ta dëshmuar fuqizimin e vet.

Lajme

17/09/2013 10:05

As me PDK’në, as me LDK’në, por me LDD’në.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka përgënjeshtruar raportimet se është afruar me Partinë Demokratike të Kosovës për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Sekretari i Përgjithshëm i AAK’së Burim Ramadani, i nxitur nga raportimet e mediave, ka reaguar në profilin e tij në Facebook, duke thënë se kjo parti nuk është e vetme në këto zgjedhje, por nuk do të hyjë në ndonjë marrëveshje politike me partitë më të mëdha.

“Është e vërtetë se Aleanca nuk është e vetëm! Ne kemi bërë marrëveshje me qytetarët e Kosovës, grupet e organizuara nëpër komuna të Kosovës, iniciativa të ndryshme të qytetarëve dhe kemi bërë koalicion me LDD-në! Jo me tjetërkënd! Kuptojeni! As me PDK-në, as me LDK-në! Ne jemi Aleanca! Kemi programin dhe kandidatët tanë!”, ka shkruar Ramadani.

“Aleanca është e përgatitur në këto zgjedhje lokale të 3 nëntorit si asnjëherë deri më tash. Këto zgjedhje do të dëshmojnë fuqizimin e Aleancës në tërë Kosovën, rritjen e dukshme të komunave që do të udhëhiqen nga Aleanca, sikurse edhe rritjen e madhe të nivelit të përgjithshëm për Aleancën”.