A po “zihet” diçka për Asociacionin? Bislimi: As nuk u dhezë shporeti

Lajme

23/06/2022 21:56

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka folur sonte në lidhje me deklaratat e kryediplomatit serb, Petar Petkoviq, i cili tha se marrëveshja për energjinë i ka hapur rrugë formimit të Asociacionit, dhe se sipas tij, ishte vetë Bislimi që e ka pranuar këtë.

Në momentin që iu bë kjo pyetje Bislimit nga gazetari Ermal Panduri, Bislimi reagoi me nervozizëm duke thënë se ai po i beson më shumë deklaratës së kundërshtarit serb të tij, dhe se atyre po u jep shumë kredibilitet, ndonëse në këtë deklaratë ka shumë gënjeshtra, shkruan lajmi.net.

“Është ofenduese kur ju në kontekst të dialogut nuk i referoheni deklarimeve të mija, por të kundërshtarit tim. Mos kërkoni prej meje me i kushtu kohë deklarimeve të Petkoviqit. Unë e di çka flet Petkoviqi. Misioni është hakmarrës”, tha ai.

Bislimi dha një deklaratë tjetër që mund të bëhet lajm.

Ai u pyet nëse “po zihet diçka” për Asociacionin, duke iu referuar deklaratave të eurodeputetes gjermane, Viola Von Cramon.

“As nuk është dhezë shporeti. Për me zi diçka duhet mu dhezë shporeti”, tha ai. /Lajmi.net/