A po bëhet lojë me paranë publike, pyet Jakup Krasniqi

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi thotë se nëse shuma prej 5.5 milionë eurosh është shtesa e zyrtarëve të lartë shtetërorë, ky fakt duhet të jetë alarm. Pastaj, ironizon: A është ky Buxhet i shtetit ligjor apo Buxhet i Maliqit?

Lajme

14/03/2014 20:45

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka komentuar vendimin fundit të Qeverisë së Kosovës për Fondin prej 5.5 milionë eurosh, i cili u nda për fëmijët e sëmurë nga kanceri dhe leukemia, pasi Kryeministri Thaçi tërhoqi vendimin për ngritjen e pagave për zyrtarët e Presidencës, Parlamentit dhe Qeverisë.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Jakup Krasniqi, i cili tashmë nuk është më pjesë e partisë në pushtet PDK, por një nga themeluesit e subjektit të ri politik Nisma për Kosovën, ka parashtruar disa dilema të tij.

“Nëse shuma prej 5.5 milionë është shtesa e zyrtarëve të lartë shtetërorë, ky fakt duhet të jetë alarm, se pari, për përfaqësuesit e popullit të Kosovës, se dyti, për shoqërinë civile e mediat, për intelektualët e akademikët, dhe se treti, për qytetarët e Republikës së Kosovës.”

“Nëse shtesat e zyrtarëve të lartë kapin shumën në fjalë, cila është shuma e pagave ekzistuese (pa rritje). Pastaj, cili është numri i atyre zyrtarëve të lartë në Republikën e Kosovës? A kemi nevojë për kaq shumë zyrtarë të lartë të shtetit?”

“Në një situatë të tillë s’ka si mos të shtrohet pyetja, çka është kjo lëvizje e parasë ende pa u bërë tre muaj nga miratimi i Ligjit të Buxhetit për vitin 2014? A është ky Buxhet i shtetit ligjor apo buxheti i Maliqit?!”

“Pse këto para nuk u planifikuan me kohë?! A nuk kishim nevojë më herët për humanizëm e solidaritet, apo veç kur duhet blerë votat nga hallexhinjtë e shumtë te Republikës sonë?!”, ka shkruar Kryeparlamentari Jakup Krasniqi.