A ndikon rritja e pagës minimale në 250 në ndaljen e ikjes së qytetarëve nga Kosova? Tregon ekonomisti

Numri i kosovarëve që po ia mësyjnë migrimit në vendet e shumta evropiane, por edhe më larg është duke u rritur çdo ditë. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mbi 42 mijë qytetarë kanë ikur nga Kosova gjatë vitit të kaluar. Migrimi i tyre nëpër vende të ndryshme ka ndodhur duke përdorur rrugët legale, por…

Lajme

18/10/2022 16:30

Numri i kosovarëve që po ia mësyjnë migrimit në vendet e shumta evropiane, por edhe më larg është duke u rritur çdo ditë.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mbi 42 mijë qytetarë kanë ikur nga Kosova gjatë vitit të kaluar. Migrimi i tyre nëpër vende të ndryshme ka ndodhur duke përdorur rrugët legale, por edhe ilegale.

Se ikja e popullsisë është problem në Kosovë, e kanë pranuar pozita e opozita.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka deklaruar se Qeveria Kurti po ndërmerr shumë masa për të zbutur problemin e ikjes nga vendi. Në këtë radhë, ai ka përmendur edhe Projektligjin për Pagën Minimale, për të cilin ka thënë se me ngritjen e pagës minimale në 250 euro, do të zgjidhet një pjesë e problemit.

Por, se kjo pagë nuk është zgjidhje e thotë ekonomisti Safet Gërxhaliu.

“Me këto propozime për pagën minimale mos të mendohet që do të ndikojnë në uljen e tentativës për të ikur nga Kosova. E them këtë duke u bazuar në faktin që kriza po analizohet vetëm në aspektin ekonomik dhe social. Asnjëherë nuk po analizohet në aspektin emocional. Definitivisht qytetarët e Kosovës e kanë humbur shpresën që në Kosovë do të ketë ditë më të mira, se mund të ketë mbështetje dhe se kjo pagë minimale e propozuar së fundmi do t’ua përmirësoj jetën e tyre.”, është shprehur Gërxhaliu për lajmi.net.

Madje, ky i fundit përmend edhe çështjen së në Kosovë kriza është politizuar në këtë drejtim dhe mes pozitës e opozitës nuk ka konkretizim të qëllimeve në interes të shtetit.

“Është e vërtetë që kriza në Kosovë është e politizuar dhe në këtë drejtim shumë më tepër kemi konfrontim steril mes pozitës dhe opozitës, se sa një konkretizim të qëllimeve në interes të shtetit, interes të qytetarëve dhe në interes të fuqizimit ekonomik të Kosovës. Në këtë drejtim shumë procese dhe ligje të qëlluara para sa kohe apo vite janë duke përjetuar edhe amotivim moral. Vet fakti që e kemi këtë krizë ekonomike dhe fakti që e kemi këtë inflacion edhe vet ligji apo debati rreth pagës minimale e ka humbur kuptimin. Jemi të vonuar, jemi të shqetësuar dhe vlerësoj që duhet një rishikim thelbësor.”, vijon Gërxhaliu.

Ekonomisti Gërxhaliu thotë se nëse do të ishte miratuar një ligj i tillë atëherë kur ka filluar ndoshta do të kishte efekt, por tani e tutje kemi debate ndërsa inflacioni dhe kriza po e bëjnë të vetën.

Sipas Agjencisë së Statistikave, inflacioni në Kosovë në muajt qershor e korrik ishte i lartë. Në qershor 14,1% dhe 14,2% në korrik. Ndërsa, sipas Bankës Botërore, inflacioni është 19,2% për muajin qershor. Që do të thotë, 5% më i lartë se në statistikat zyrtare të ASK-së. /Lajmi.net/