A mund të shkaktojë përçarje në VV posti i bartësit të listës në zgjedhjet e 14 shkurtit?

Vota e Etem Arifit për qeverinë e Avdullah Hotit po shkakton ende probleme në skenën politike në Kosovë.

Lajme

21/01/2021 20:30

Gjykata Kushtetuese e shpalli si të pavlefshme votën e tij për qeverinë Hoti pasi i njëjti kishte votuar si deputet i dënuar. Por, kjo vendosi një precedent të ri sa i përket zgjedhjeve në Kosovë, shkruan lajmi.net.

Në këtë aktgjykim të Kushtetueses u precizua gjithashtu se në zgjedhje nuk do të mund të kandidojnë njerëz të cilët kanë probleme me ligjin në tre vitet e fundit para zgjedhjeve.

Kështu, njëri nga 47 emrat e prekur nga ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese tek partitë politike në Kosovë që garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit është edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

E lidhur me zëvendësimin e Kurtit si bartës të listës së Lëvizjes Vetëvendosje është diskutuar shumë pas vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor që ia ndaloi kandidimin. Vjosa Osmani, Glauk Konjufca, Haki Abazi, Arben Vitia e Besnik Bislimi janë disa nga emrat e përmendur nëpër media për këtë detyrë.

Por, a mund të shkaktojë përçarje në Vetëvendosje një gjë e tillë dhe cilat janë mundësitë e kësaj partie politike në zgjedhjet e 14 shkurtit?

Analisti Shkodran Ramadani tha se nuk mendon se do të ketë përçarje brenda Vetëvendosjes, ai thotë se Kurti do të promovohet edhe më tutje si kandidat për kryeministër dhe se VV nuk do të ketë kandidat tjetër për kryeministër.

“Në media do të promovohet si kandidat për kryeministër dhe nuk do të ketë fare kandidat tjetër VV-ja për kryeministër edhe nëse nuk e lejon Komisioni Qendror Zgjedhor si kandidat për deputet, por nuk do të ketë kandidat të dytë sepse përkundër vendimit ekziston diskursi se Kurti është kryeministri i ardhshëm i Kosovës.”, tha Ramadani.

Më tutje, ai shton se mund të ketë intriga dhe pakënaqësi tek disa persona por të gjithë janë të vetëdijshëm se Kurti është i padiskutueshëm në Vetëvendosje.

Ramadani u shpreh se as Vjosa Osmani nuk ka guxim ta bëjë një gjë të tillë, pasi ajo e di se fuqia e saj politike është 2-3 për qind e votave të qytetarëve.

“Nuk mendoj se do të ketë përçarje në Vetëvendosje, por mund të ketë intriga e pakënaqësi tek disa persona por të gjithë e dijnë se Kurti është i padiskutueshëm në Vetëvendosje. Këtë e di edhe Vjosa Osmani sepse për këtë arsye ka shkuar në VV pasi e di se nuk i ka mbi 2-3 për qind dhe roli i saj në Vetëvendosje është i margjinalizuar dhe ky fakt asaj nuk ia jep lluksin që të revoltohet kundër Kurtit.”, tha Ramadani.

Ai gjithashtu është shprehur që nga ndarja e PSD-së dhe fati i tyre politik, askush s’ka guxim ta sfidojë Kurtin dhe që nga ajo kohë, Kurti e ka shtuar ndikimin e vet.

“E njëjta vlen edhe për Konjufcën dhe të tjerët, fakti i ndarjes së VV-së dhe fati i PSD-së dhe është parë se askush s’mund ta sfidojë Kurtin dhe që nga ajo kohë, Kurti e ka shtuar ndikimin e vet dhe e ka albinizuar Lëvizjen Vetëvendosje, e ka ndryshuar edhe statutin e partisë që mund të jetë kryetar i përhershëm i VV-së.”, tha Ramadani.

E analisti Rasim Alija lidhur me certifikimin e kandidatëve thotë se ka histori që nga viti 2017 dhe rasti i Zafir Berishës së Nismës Socialdemokrate të cilin e pati kthyer në listë vendimi i Gjykatës Supreme.

“Kjo ka histori. Certifikimi i kandidatëve ka histori që fillon në vitin 2017 kur e pati hequr nga lista z. Zafir Berisha dhe e pati kthyer Gjykata Supreme, dhe pastaj u rikthye në listën e kandidatëve. Që atëherë, ne si shoqëri civile kemi bërë thirrje që ligji dhe kodi penal i Kosovës të kodifikohen dhe të mos krijohen situata të tilla qesharake ku një kandidat për një dënim të trafikut t’i pamundësohet kandidimi dhe kjo bie në kompetencë të mohimit të të drejtave dhe lirive themelore.”, tha Alija.

Alija konsideron gjithashtu se vendimi i fundit merr edhe konotacion politik, por tutje ai shton se në VV nuk do të ketë pakënaqësi. Madje, sipas tij, VV është e përgatitur për këtë gjë edhe me dy apo tri skenare.

“Me rastin e fundit kjo merr peshë politike dhe konotacione politike. Është një mishmash i krijuar nga vendimet e shkruara keq të Gjykatës Kushtetuese sepse kjo gjykatë iu është përgjigjur një pyetje që nuk është bërë nga Lëvizja Vetëvendosje. Sa i përket pakënaqësive në listën e Vetëvendosjes, nëse VV nuk do të ankohet në Gjykatën Supreme, sepse një ankesë e tillë mund të ndodh dhe ne vendimin nuk e dijmë, por nuk mendoj se do të ketë pakënaqësi në Lëvizjen Vetëvendosje duke u bazuar në faktin se LVV e ka parë aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe është përgatitur për këtë situatë, VV e ka skenarin e dytë dhe të tretë lidhur me këtë situatë.”, tha Alija.

Në fund, Alija thotë se VV e ka ditur për një gjë të tillë dhe se VV do ta shfrytëzojë për fushatë elektorale mos-lejimin e kandidimit të Kurtit në këto zgjedhje. Por gjithashtu, thotë se nëse Kurti nuk merr pjesë në zgjedhje dhe VV fiton zgjedhjet e ky i fundit bëhet kryeministër, subjektet e tjera do ta përdorin si kundërargument ndaj tij.

“Pra, Vetëvendosje e ka ditur këtë dhe nuk besoj që do të ketë kurrëfarë problemi ose pakënaqësi sepse ata me gjasë e kanë një emër tjetër, gjithmonë me skenarin që nëse Kurtit i pamundësohet pjesëmarrja në listën e VV-së, pa çka që gjithë kjo mund të shfrytëzohet nga Lëvizja Vetëvendosje në fushatë elektorale në kuptimin e marrjes të sa më shumë votave dhe në rast të fitores në zgjedhje, subjektet tjera do të mund ta përdorshin faktin se e kemi një kryeministër i cili nuk ka marrë votat, rrjedhimisht që nuk ka dalë nga zgjedhjet e 2021-tës.”, tha Alija për lajmi.net.

Ditët në vazhdim do të kuptohet nëse Vetëvendosje do të ankohet në Gjykatën Supreme lidhur me këtë vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ose nëse do të vendosin për zëvendësuesin e Kurtit në krye të listës së partisë në zgjedhjet e 14 shkurtit. /Lajmi.net/