A mjafton vetëm fitorja?!

Kryetari i partisë, Hashim Thaçi, ka përkrahjen tonë absolute edhe për një mandat qeverisës katër vjeçar. PDK ka eksperiencën e mbi gjashtë viteve qeverisjeje të suksesshme në vend.

Opinion

19/02/2014 11:04

Është interesante situata e krijuar me kalendarin elektoral.

Njëherë me të madhe flitej për nevojën e reformës së sistemit elektoral, pastrimit të listave zgjedhore, sistemeve më të përshtatshme zgjedhore për partitë politike dhe qytetarët. Debati mbi këtë reformë vazhdoi dhe u mbajt gjallë nga partitë me prezantimin e tyre në media, aq kohë sa ato deshën ta mbajnë të gjallë debatin mbi reformën. Madje, për reformën zgjedhore u deklaruan edhe ambasadorë të shteteve të mëdha (Kuintit).

Tani filluan lëvizje brenda, duke filluar nga letra e Presidentes, takime nëpër ambasada në Prishtinë, takime liderësh mes vete dhe kështu të krijohet bindja se të gjithë nguten për të bërë zgjedhjet.

Argumentet janë të shumta, por nga ato më e përfolura është e kontekstit politik rajonal. Këtë postulat e bazojnë në zgjedhjet e parakohshme në Serbi, ( flitet edhe për Maqedoni), gjersa Greqia pritet që sivjet të zhvillojë zgjedhjet lokale. Të krijohet përshtypja për zgjedhje në pako, apo një lloj lëvizje në tërë rajonin. Por, në rajon pati edhe lëvizje tjera. Protesta në Prishtinë, u pasua me protesta shumë më të mëdha në Bosnjë, që shumë nga ne mbeten të hutuar nga agresiviteti që shoqëroi këtë protestë. Po ashtu protestat qytetare nuk munguan as në Malin e Zi.

Një ndërlidhje e pakënaqësisë sociale me atë politike , apo çkado tjetër që ishte zier në “kazanin” boshnjak, reflektoi tek shumë prej diplomatëve në Bruksel e në rajon, se ndoshta fazat e tranzicionit në Ballkan nuk varen vetëm nga dialogu ndërmjet shteteve, por edhe nga dialogu i brendshëm në vet shtetet dialoguese.

Nisur nga ky diskurs, kthehem përsëri tek tema e zgjedhjeve, ndoshta nga që veprimet më lënë përshtypje sikur janë të ndërlidhura. Mbajtja e zgjedhjeve tash apo fillim qershori dhe shumë pyetje që bartin ato me vete si, qysh dhe kush me kënd, në ditët vijuese do të bëhen pika spekulimi e aritmetike. Kalkulimi do të shtrihet në variante të ndryshme, prej atyre intuitive e deri tek ato super pragmatike varësisht nga rezultatet.

Në Kosovë, fushata zgjedhore ashtu sikurse zgjedhjet do të fillojnë dhe do të zhvillohen në mënyrë normale. Skepticizmi im rritet vetëm atëherë, kur pres se një normalitet i tillë do t’i shpëtojë edhe tundimeve të individëve të caktuar të veshur me petkun politik për të mos tensionuar procesin. Për të gjitha mangësitë dhe keqpërdorimet e mundshme, të identifikuara në zgjedhjet e përgjithshme të kaluara, disa prej partive fajësuan ligjin zgjedhor. Pajtimi i përgjithshëm ishte se ky ligj ka hapësirë për përmirësime dhe u vendos që të bëhet reforma zgjedhore. Kërkesa apo vet shkuarja në zgjedhje pa përmbyllur këtë reformë dëshmon se etja për pushtet tek disa liderë politikë, është më e madhe se qëllimi themelor për demokratizimin e mëtejmë të shoqërisë kosovare. Shqetësimi është real sepse një sjellje e tensionuar krijon pasoja, shpeshherë të pariparueshme për rendin e vlerave në shoqëri dhe lëkund besimin e qytetarëve në institucione. Mohimi i procesit apo përbaltja e tij, bën demobilizimin e kapaciteteve me energji pozitive. Kjo mëdyshje rritet edhe për faktin se nga rezultati i këtyre zgjedhjeve do të varet edhe vazhdimësia e karrierës politike për disa nga liderët opozitarë.

Andaj, shumë kush i ka dhënë zor të fitojë!

Por, tema që duket se fare nuk është debatuar ndonjëherë, është ajo se: çka më pastaj? Çka do të bëjmë me fitoren? A ka ndonjëherë debat për këtë? Sepse, sikurse duket në realitetin e varfër ballkanik shumë më vështirë se fitorja e zgjedhjeve, është menaxhimi i asaj fitoreje! Dhe këtu, dhe mbi këtë temë, ende nuk më duket se ka filluar të paktën të zhvillohet debati. Athua përpos mohimit të secilit lajm të mirë, çfarë alternative do t’i afrojnë pritshmërisë qytetare subjektet opozitare?

PDK, ka konfiguruar veten për sfidën e ardhshme qeverisëse për katër vitet e ardhshme. Kryetari i partisë, Hashim Thaçi, ka përkrahjen tonë absolute edhe për një mandat qeverisës katër vjeçar. PDK ka eksperiencën e mbi gjashtë viteve qeverisjeje të suksesshme në vend.

Përkundër recesionit ekonomik botëror dhe krizës së euros, sukseset e zhvillimit ekonomik janë më se evidente për qytetarët tanë, përmirësimi i mirëqenies së tyre familjare deri në kualitetin e jetës sonë publike dhe forcimit të shtetësisë sonë.

Partia Demokratike e Kosovës në mandatin e saj të parë qeverisës, realizoi Pavarësinë e Kosovës, gjersa në mandatin e dytë po ndërton dhe siguron sovranitetin e shtetit të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës tani po ndërton strategji me vizion që në mandatin e tretë qeverisës të vërë në agjendën e realizimit- zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.

Sukseset e arritura në vitet e qeverisjes, nuk do të jenë pjesa e ofertës tonë politike programore qeveritare për katër vitet e ardhshme; janë një tregues i lidershipit tonë të suksesit dhe qëndrueshmërisë në sfidat e tranzicionit politik, ekonomik dhe përmbylljes së shtetësisë sonë integruese në BE dhe OKB përmes dialogut.

Mandati i tretë për Partinë Demokratike të Kosovës do të jetë në fakt mandat i parë i sfidës sonë të madhe qeverisëse në shtetin tonë të konsoliduar, larg fazës emergjente.

Kosova me të tashmen e vet, me këtë rini që mbanë vlera brilante, është më se e sigurt në arritjen e qëllimit fisnik, që së bashku ta sjellim atë, të begatë e të fortë, pikërisht aty ku dëshirojmë ta shohim që të gjithë: në mesin e shteteve të prosperuara të Evropës.

Duke ngritur ndërgjegjen sociale tek të gjithë ne, arrijmë që Kosova të bashkëgëzojë ndjenjën e rezultateve dhe të sukseseve të prekshme, e kjo arrihet duke instaluar llogaridhënien në veprimet tona, përmes së cilës reflektojmë përgjegjshmëri në raport me shtetin ligjor dhe vlerat qytetare.

Ne stimulojmë fuqishëm përkujdesjen që, qytetari i Kosovës të bëhet pjesëmarrës aktiv i zhvillimeve në rrethin e vet, aty ku jeton e punon, ngase vetëm në këtë mënyrë arrijmë si shoqëri të mobilizohemi në funksion të zhvillimit të shtetit tonë në të gjitha sferat. Ne dëshirojmë që qytetari i Kosovës të mbetet pjesëmarrës aktiv në rrugëtimin tonë drejt Kosovës Evropiane, ngase për PDK-në dhe vet konceptin e saj politik, shteti i Kosovës fillon nga pragu i derës së çdo qytetari.

(Autori është Zëvendës Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës)