A ka të drejtë Kosova të kërkoj një emisar të ri nga BE-ja “sherri” i Lajçkaut?

Që nga emërimi i sllovakut Mirosllav Lajçak si i dërguari i BE-së për dialogun me Serbinë, në Kosovë janë krijuar dyshime për ndikimin e mundshëm të njëanshëm të tij.

Lajme

27/05/2020 18:32

Më 2 prill, sllovaku Mirosllav Lajçak mori pozitën e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi.

Meqenëse Lajçak vjen nga Sllovakia, shtet ky që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, janë shtuar edhe dyshime se politika e shtetit të tij kundër Kosovës do të mund të ndikojë në vendimmarrjen e dialogut.

Mirëpo, njohësit e çështjeve integruese bëjnë të ditur për lajmi.net, se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, por që sipas tyre, Kosova me të drejtë shpreh rezerva dhe skepticizëm ndaj Lajçakut.

I pyetur nga lajmi.net, se a mund të kërkojë Kosova një emisar të ri për shkak të Lajçakut, profesori universitar dhe njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, ka thënë se nuk është aspak e nevojshme që autoritetet kosovare ta bëjnë një kërkesë të tillë.

Sipas Fetoshit, përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut me Serbinë, Kosovës i jep siguri për epilogun e këtij procesi.

“Kosova me të drejtë mund të ketë rezerva dhe të shprehë skepticizëm sa i përket rolit të z. Lajçak duke pasur parasysh qëndrimin e shtetit të tij, por jo edhe të kërkojë emisar të ri. Një gjë e tillë s’është e nevojshme edhe sepse për shkak të pesë shteteve anëtare Bashkimi Evropian ka qasje neutrale ndaj statusit të Kosovës, por kjo nuk e ka penguar rolin e saj lehtësues në dialogun me Serbinë. Z. Lajçak nuk e përfaqëson politikën e jashtme të Sllovakisë dhe mendoj se është gjetje e duhur në raport me “ngërçin” evropian kundrejt Kosovës. Kur kësaj i shtojmë edhe faktin se Shtetet e Bashkuara do të kenë rol udhëheqës së bashku me BE-në, nuk duhet të ketë vend për dyshime në epilogun e procesit”, theksoi Fetoshi.

Ai ka bërë të ditur për lajmi.net se edhe skepticizmi i presidentit Hashim Thaçi ndaj Mirosllav Lajçakut, është më shumë si paralajmërim për BE-së se sa kundërshtim. Mirëpo nëse Kosova e kundërshton dialogun për shkak të paragjykimit ndaj Lajçakut, sipas Fetoshit do të ishte gabim i madh politik.

“Nga ana tjetër, skepticizmin e shprehur nga ana e presidentit e shoh më tepër si mesazh paralajmërues dhe jo kundërshtim kushtëzues për një emisar të ri Përndryshe, vazhdimi i pezullimit të dialogut duke e paragjykuar rolin e z. Lajçak do të ishte një gabim politik me pasoja jo vetëm të prolongimit të procesit, por edhe për marrëdhëniet e ardhshme me Bashkimin Evropian”, theksoi Fetoshi për lajmi.net.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për lajmi.net, se Kosova duhet të kërkojë mbështetje nga shtetet e Bashkimit Evropian, e në veçanti duhet të lobojë shumë me shtetet të cilat nuk e njohin Kosovën.

Sa i përket çështjes së dialogut, Krasniqi ka thënë se autoritetet kosovare duhet të kërkojë nga ana e BE-së një qëndrim të saj ndaj Kosovës në mënyrë që t’i ofrojnë perspektivë evropiane.

“Vlerësoj që në fakt i mbetet BE-së që të përcaktojë se kush janë të emëruarit e saj në lidhje me proceset e ndryshme në politikën e jashtme të saj. Por ajo çfarë në fakt i mbetet Kosovës është që të kërkojë nga ana e BE-së nga shtetet anëtare të BE-së që të kenë një qëndrim unik ndaj Kosovës, gjë të cilën nuk e kemi parë deri më tani. Politika e jashtme e BE-së është një politikë e cila duhet të vendoset nga të gjitha shtetet anëtare edhe në këtë fazë kur jemi duke shkuar në një fazë të re të dialogut ku kemi një të emëruar të ri, Kosova duhet të kërkojë që BE-ja ta ketë qëndrimin e saj duke i ofruar Kosovës realisht perspektivën evropiane dhe duke i ofruar Kosovës normalisht liberalizimin e vizave, çështje kjo e cila është e padiskutueshme. Por realisht një perspektivë evropiane dhe ajo çka na mbetet neve si Kosovë edhe lidershipit të Kosovës është që me lobua në të gjitha shtetet anëtare të BE-së që ky proces me shkua në favor të Kosovës. Nuk shkon në favor të Kosovës nëse ne kemi një qasje refuzuese por shkon në favor të Kosovës nëse ne e kemi një qasje pro-aktive dhe e dimë cili është interesi jonë, e artikulojmë qartazi atë dhe punojmë në atë drejtim”, theksoi Krasniqi.

Sa i përket emërimit të Lajçakut, Krasniqi ka thënë se emërimi i tij nuk ka qenë i befasishëm pasi që ai me kohë është paralajmëruar dhe se Kosova duhet të vazhdojë të kërkojë ndaj shteteve anëtare të BE-së një qëndrim unik për Kosovën. Ajo thotë se lidershipi kosovarë duhet të punojë më shumë në këtë drejtim dhe të kërkojë nga BE-ja një garanci për perspektivën evropiane.

“Emërimi i zotëri Lajçak nuk ka qenë një surprizë, ka pasur paralajmërim se nuk është se ne e kemi parë nga ana e Kosovës një angazhim të institucioneve të Kosovës pro-aktiv edhe me shtetet anëtare të BE-së që të thoshin se ky emërim nuk është adekuat për arsyet e caktuar. Tanimë më duket që Këshilli i cili është edhe institucioni më i lartë vendimmarrës në këtë aspekt i BE-së, e ka caktuar zotëri Lajçak dhe neve na duhet në fat që të kërkojmë ndaj shteteve anëtare të BE-së që të shkojmë përtej përcaktimit të një personi të caktuar dhe të kërkojmë që ata të kenë një qëndrim unik ndaj shtetit të Kosovës dhe që shtetin e Kosovës ta trajtojnë si shtet, pra si entitet shtetëror dhe që t’i ofrojnë një perspektivë evropiane të qartë. Ne duhet të kërkojmë një rol më pro-aktiv të BE-së edhe në kuadër të procesit të dialogut, vijat të kuqe, parimet, çfarë roli do të ketë BE-ja, garanca nga ana e BE-së edhe perspektivën evropiane. Do me thënë duhet të kërkojmë rol më pro-aktiv nga BE-ja dhe duhet të lobojmë me shtetet anëtare që janë në interes tonin”, tha Krasniqi për lajmi.net.

Theksojmë se Kosova që nga viti 2018 nuk ka zhvilluar asnjë takim me Serbinë në kuadër të dialogut, kjo pasi që qeveria e atëhershme kosovare e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, kishte vendosur tarifë prej 100 për qind ndaj mallrave dhe produkteve serbe dhe boshnjake për shkak të politikave të tyre kundër Kosovës. /Lajmi.net/

LEXO EDHE: 

BE për lajmi.net: Lajçak nuk flet në emër të Sllovakisë, por të 27 vendeve anëtare të Unionit