A ka kuptim Liga e Kampionëve kur të njëjtat rregulla nuk zbatohen për klubet kosovare dhe Barcelonën?

Slovan Bratislava u ‘nokautua’ nga kualifikimet e Ligës së Kampionëve.

Sport

29/08/2020 11:13

Ata nuk u eliminuan nga fusha e lojës, por ndeshja e raundit të parë kualifikues për Ligën e Kampionëve u regjistrua me rezultat 3:0 në favor të Klaksvic, skuadrës nga Ishujt Faroe, sepse sllovakët nuk u paraqitën në fushë. Ata duhej të ishin në vetë izolim sepse një anëtar i klubit të tyre ishte pozitiv.

Klaksvik dhe Slovan duhej të luanin më 19 gusht, por ndeshja u shty për datën 21 gusht, shkaku i një infeksioni në ekipin sllovak, dhe jozyrtarisht ishte një fizioterapist, i cili doli pozitiv pas mbërritjes në Ishujt Faroe. Slovan u rikthyen në shtëpi, la të infektuarin në Bratislavë dhe më pas u kthye në Ishujt Faroe. Testimi i ri përcaktoi se tani një lojtar i tyre ishte me COVID-19. Autoritetet lokale vendosën të fusin në karantinë të gjithë ekipin dhe sllovakët nuk mund të shkonin në ndeshje. Nëse do të dilnin nga karantina dhe të shkonin në stadium, i gjithë delegacioni do të përfundonte në burg sipas ligjeve të vendit ku ndodheshin.

Askush nuk merrej me sllovakët dhe kosovarët

Në atë kohë, po luhej finalja e Ligës së Kampionëve, kështu që askush nuk merrej me Slovan, si dhe me futbollistët e klubeve nga Kosova, të cilëve iu privua mundësia për të luajtur në garat evropiane.

Kampionët e Kosovës, Drita, duhej të luanin kundër Linfield të Irlandës së Veriut në raundin paraprak të Ligës së Kampionëve, por humbën 3:0 në një ndeshje që nuk u luajt në fushë, shkaku i rasteve me COVID-19 te Drita.

Prishtina arriti në Gjibraltar në raundin paraprak të kualifikuese të Ligës së Evropës, kështu që do të luanin kundër Lincoln Red Imps. Por deri në tetë lojtarë të FC Prishtinës rezultuan pozitivë për koronavirus, kështu që delegacioni u dëbua në Kosovë.

UEFA shtyu ndeshjen për katër ditë dhe autoritetet e Gjibraltarit u thanë kosovarëve se asnjë nga 20 anëtarët e delegacionit që erdhën herën e parë nuk duhej të vinin për ndeshjen e shtyrë. FC Prishtina mori lojtarë nga skuadrat e ndryshme të Kosovës. Por, pas rikthimit të tyre në Gjibraltar, tetë lojtarë tjerë të tyre dolën pozitivë për koronavirus.

FC Prishtina u mbyll në hotel, dhe nuk u lejua të paraqitej në fushë.

Standarde të dyfishta të vendosura nga vetë UEFA

Klubi i tretë i Kosovës, ishte me fat. Gjilani ishte mysafir në San Marino, ndaj Tre Penne në raundin parakualifikues të Ligës së Evropës. Një ditë para ndeshjes, një lojtar i SC Gjilanit testoi pozitiv për kornavirus dhe u vendos në izolim. Ndeshja u shty për një ditë më vonë, testet e reja treguan se nuk kishte të infektuar rishtas, dhe autoritetet më pak rigoroze të San Marinos nuk krijuan probleme për mysafirët dhe ndeshja u luajt. Gjilani festoi duke fituar 2:1, dhe kaloi në raundin e parë kualifikues.

Index.hr ka marrë një koment nga avokati dhe njohësi i ligjeve të sportit, Davor Radic, i cili njihet mirë me praktikën e FIFA-s dhe UEFA-s.

“Është mjaft e qartë se sllovakët janë të zemëruar, por për fat të keq këtu nuk ka shumë filozofi. Këto janë gara të UEFA-s, dhe ajo përcakton rregullat e lojës. Por situata me koronavirus ka prishur gjithçka dhe këto janë gjëra që UEFA nuk mund të ndikojë më sepse tejkalojnë qëllimin e saj. Këto vendime u morën nga autoritetet lokale dhe UEFA nuk ka shumë të bëjë me këtë”, ka deklaruar Radic, përcjell lajmi.net.

Pyetja është se si do të kishte reaguar UEFA nëse do të kishte qenë një klub më i madh. Mbi të gjitha, katër ditë para çerekfinales së Ligës së Kampionëve kundër Leipzig, dy lojtarë të Atletico Madrid ishin pozitivë për koronavirus. Klubi pretendoi se Sime Vrsaljko dhe Angel Correia nuk ishin në kontakt me ekipin që udhëtoi në Portugali, dhe Barcelona kishte të njëjtin argument pasi Samuel Umtiti doli pozitiv në koronavirus. Nëse dikush do të kishte ndaluar Atleticon të luante në Ligën e Kampionëve, një skandal ndërkombëtar do të kishte shpërthyer pa dyshim. Askush nuk kujdeset shumë për Slovan dhe klubet nga Kosova.

“Më besoni, të njëjtat rregulla nuk vlejnë për klubet nga Kosova apo gjigantët Slovan dhe evropianët. Me siguri, askush nuk do t’i ndalonte Barcelonën, Atleticon apo Cityn të luanin në finalen e Ligës së Kampionëve, domëthënë, rregullat dhe rregulloret do të interpretoheshin ndryshe. UEFA me siguri do të  ngrihej në këmbë për ta kudo që të ishte e nevojshme”, ka shtuar Radic.

Në pyetjet nëse mund të arrihet diçka përmes gjykatës sportive në Lozanë, ku po hapet proces gjyqësor, ai tha: “Nuk kanë asnjë shans. Epo, asaj gjykata i duhet vetëm një muaj për të formuar një këshill gjyqësor. Deri në atë kohë, kualifikimet, ose të paktën shumica e tyre, do jenë luajtur. Çfarë duhet të bëjë UEFA atëherë, t’i vendos në garë në vend të dikujt tjetër? Në asnjë mënyrë. CAS përfundimisht do të vendos në favor të tyre, dhe pastaj  UEFA do t’u paguajë disa kompensime. Por nga aspekti sportiv, ata nuk do të marrin asgjë atje”./Lajmi.net/