A janë opsion real zgjedhjet e parakohshme?

Zgjedhjet e parakohshme po shihen nga partitë më të mëdha opozitare, jo vetëm si opsion për realizimin e ambicieve të tyre për të marrë pushtetin, por edhe për rritjen e efikasitetit dhe vendimmarrjes në institucionet e Kosovës.

Lajme

06/03/2019 17:03

Ndërkohë që koalicioni aktual qeverisës, me gjithë mospajtimet e brendshme rreth disa çështjeve, po e vazhdon punën duke mos i marrë parasysh zgjedhjet e parakohshme si opsion.

Të dy taborët politikë, i japin arsyet e veta pse e mbështesin njërin apo tjetrin opsion.

Ndërkaq, analistët politikë thonë se mungesa e një konsensusi për dialogun politik me Serbinë si mosmarrëveshjet politike në vend, siç është rasti me taksën doganore për të cilën spektri politik është i ndarë në mendime, nëse duhet pezulluar apo jo, mund ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve.

Opsioni i zgjedhjeve, për Partinë Demokratike të Kosovës shihet si i panevojshëm dhe më shumë ikje nga proceset aktuale politike.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, tha për Radion Evropa e Lirë, se të gjithë ata të cilët frikësohen t’i marrin përgjegjësitë e tyre për fatin e Kosovës, për dialogun dhe proceset integruese, qofshin në pushtet apo opozitë, kërkojnë të gjejnë strehë në një proces të ri zgjedhor, i cili sipas tij, është i kushtueshëm dhe nuk mund të sjellë qartësi.

“Ne jemi fokusuar në agjendën tonë institucionale, që ka të bëjë me të gjitha proceset e rëndësishme të vendit. Përparësi janë ato gjithmonë që i përmendin të gjithë dhe që i kemi pasur edhe ne, që me një konfigurim të ri do të ketë shpresë të ecej tutje në procese. Por, bazuar nga aktualiteti dhe gjendja momentale, nuk është se ka ndonjë pritje të madhe, pra do të jetë një konfigurim përafërsisht i njëjtë, ndërsa në anën tjetër ne po rrezikojmë të anashkalojmë një gatishmëri të partnerëve tanë më të rëndësishëm, duke u marr me një proces i cili është jashtë rendit”, tha Pajaziti.

Ndërkaq, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputeti Blerim Kuçi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se Qeveria aktuale ka bërë dhe po bën, siç thotë ai, punë të jashtëzakonshme. Përveç se janë të kushtueshme zgjedhjet, nënvizon Kuçi, do të pengonin apo ndërprisnin edhe shumë projekte që janë në zhvillim e sipër.

“Te mangësitë e para, humbim në aspektin e kostos. Elementi i dytë që për mua është shumë me rendësi, kjo Qeveri ka kryer disa procese të rëndësishëm, sidomos në aspektin legjislativ dhe nëse ndalet duhet të pritet edhe 10 vjet për të pasur dikush guximin për t’i përfunduar këto procese. Edhe elementi tjetër është ai i dialogut. Edhe pse duket një lloj anarkie, megjithatë niveli i dialogut apo ai koncepti fillestar në përcjelljen e dialogut është rritur. Kurse e mira e zgjedhjeve është se çdo qeveri e re është shpresë e re”, tha Kuçi.

Dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje thonë se Qeveria aktuale, e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, nuk po arrin t’i përmbushë premtimet e dhëna dhe se sipas tyre, kjo Qeveri nuk ka më as legjitimitet.

Përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë thënë se te udhëheqësit shtetërorë nuk ekziston një unitet sa i përket dialogut me Serbinë dhe barrierave ndaj produkteve serbe.

Sipas LDK-së, Kosova po përballet me keq-qeverisje dhe dështim në planin e euro- integrimeve.

Kurse, deputetja Arbëria Nagavci nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje tha për Radion Evropa e Lirë, se zgjidhja e vetme që të dilet nga gjendja e tanishme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Është shumë e dukshme se ka nevojë për një rilegjitimim të institucioneve dhe përfaqësuesve që do të shtyjnë përpara procesin e dialogut. Nëse kësaj i shtojmë edhe faktin se po ndodhin afera të njëpasnjëshme edhe korruptive dhe keqpërdorim i buxhetit, kapja e institucioneve, ndikimet krejtësisht politike partiake, atëherë kjo gjendje është edhe një arsye më e madhe për të shkuar në zgjedhje. Kurse një diçka që mund të konsiderohet sfidë është buxheti”, tha Nagavci.

Nga ana tjetër, në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), thonë se në rast të zgjedhjeve të parakohshëm, Kosova në radhë të parë do të humbë në rrafshin e procesit të dialogut politik me Serbinë.

Eugen Cakolli, nga KDI-ja, thotë po ashtu se është e drejtë legjitime që partitë politike të kërkojnë zgjedhje të reja të parakohshme në kohë të caktuar.

“Efekti kryesor negativ është fakti se do të kishim lënë nën hije të gjitha proceset dhe jo vetëm procesin e dialogut. Mirëpo edhe çështjet e tjera të cilat janë me interes të përgjithshëm qytetar, e të cilat do të zvarriteshin, sidomos nëse kihet parasysh fakti që gjatë dy palë zgjedhjeve të fundit, institucionet nuk kanë arritur të konstituohen për shkak të vonesave të shumta prej katër deri në gjashtë muaj. Besoj se në stadin aktual, Kosova nuk ka kohë për të humbur për një periudhë të gjatë kohore”, tha Cakolli.

Kërkesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për pezullimin e taksës doganore për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja, ka ndarë në pikëpamje të ndryshme krerët e institucioneve dhe të koalicionit aktual qeverisës në Kosovë.

Ndërkohë që përfaqësuesit e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës, konsiderojnë se Qeverisë që udhëhiqet nga kryeministri, Ramush Haradinaj, i ka ardhur fundi.