A ishte fitorja në zgjedhje revolucion elektoral apo truk kibernetik e diplomatik

13:10 | 8 Mars 2021

Foto nga: Milazim Krasniqi

Fitorja e LVV dhe Vjosa Osmanit në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 nuk është një fitore e zakonshme, nga ato fitore që sjellin rotacionin e pushtetit, por e vazhdojnë qeverisjen brenda një kornize të ngjashme politike.

Shkruan: Milazim KRASNIQI

Në fakt, fitorja e 14 shkurtit i ka elementet e një revolucioni electoral, i cili e ndryshon jo vetëm qeverisjen por edhe skenën politike. Pas kësaj fitoreje dërrmuese, partitë konkuruese, LDK, PDK e të tjerat, duhet të shkojnë në remont gjeneral, nëse duan të mbijetojnë e të mbesin në skenë, për garat e ardhshme elektorale.

Ato janë të dërrmuara dhe tash për tash edhe të çorientuara, jo vetëm nga disfata e rëndë, po edhe nga paaftësia që t’ia gjejnë fillin një rimëkëmbjeje të vërtetë. Ato ende nuk e kanë kuptuar që meqë nuk kanë dashur të ndryshojnë vetë, ka ndryshuar votuesi i tyre, duke ua bërë bllok. Ajo që tashmë shihet është se skena politike ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme, duke e lënë vendin praktikisht pa opozitë.

Por, se sa do të ndryshojë qeverisja, kjo mbetet të shihet. Fitorja bindëse në zgjedhje, asnjëherë nuk është garanci për qeverisje të suksesshme. Ajo është një rrethanë që e mundëson një qeverisje të suksesshme, por se a do të shfrytëzohet ajo rrethanë, varet edhe nga shumë faktorë të tjerë. Në rend të parë varet nga moraliteti i fitores.

Si? Nëse fitorja ka ardhë si rezultat i bindjes, motivimit dhe mobilizimit të zgjedhësve mbi një program të qartë dhe të realizueshëm, kjo mundëson edhe realizim më të lehtë të tij. Në atë rast qytetarët e dinë se çka do të bëjë qeveria e re dhe çka pritet të bëjnë ata, për ta ndihmuar qeverinë që ta realizojë programin e premtuar. Ashtu mund të krijohet harmonia ndërmjet fitores elektorale dhe përpjekjes qeveritare, për ta konkretizuar programin e premtuar. Nëse fitorja ka ardhë si rezultat i votës negative ndaj të tjerëve, ose si rezultat i pritshmërive jorealiste, ose si rezultat i inxhinieringut kibernetik a truqeve diplomatike të ndonjë fuqie politike të jashtme, fitorja në zgjedhje nuk ka garanci se ka moralitet, prandaj ka edhe më shumë vështirësi për zbatimin e programit.Prandaj, varësisht nga përgjigja se çka e ka mundësuar këtë fitore spektakulate të LVV e Vjosa Osmanit në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, mund të prognozohet suksesi i qeverisjes së fituesve.

Nga sa dihet, fitorja LVV/Osmani, nuk është rezultat i bindjes, motivimit dhe mobilizimit mbi një program të qartë e të realizueshëm. Këtu nuk do të analizoj elementë të programit të tyre, as ata elementë që janë kompelmentarë e as ata që ideologjikisht janë të kundërvënë. Mjafton të kujtohet fakti që në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, Albin Kurti e Vjosa Osmani kanë qenë kundërshtarë të fortë, në një garë të ngushtë për postin e kryeministrit. Sheshimi i rivaliteteve ka ardhë si pasojë e luftës së mbrapshtë në LDK, ku Vjosa Osmanit iu mbyll dera drejt postit të kryetares së partisë. Prandaj më parë mund të thuhet se kalimi masiv i votës nga LDK në listën e LVV, ku mori azil partiak Vjosa Osmani, është votë e reagimit kundër taktikave ekskomunikuese të kreut të LDKsë, i cili në këtë rast u tregua politikisht senilë. Kjo ishte rrethana që shkaktoi kalimin e votuesve nga LDK-ja drejt Vjosa Osmanit, e jo ndonjë pritshmëri e madhe ndaj saj, po thjesht një solidarizim me të.

Ndërsa në rastin e Albin Kurtit, elementi dominant vërtet është pritshmëria e lartë e votuesve nga premtimet elektorale të LVV dhe të vetë Kurtit.

Por, mua më duket se ka edhe në element të rëndësishëm në këtë fitore, ve;mas në rastin e Kurtit: inxhinieringu kiberbetik. LVV ka përdorë tash sa vite në mënyrë masive komunikimin në internet, me një agresivitet pothuajse revolucionar. Mobilizimi i të rinjve dhe i bashkatdhetarëve në diasporë me këtë formë komunikimi, ka qenë shumë efikas. Mua më duket se mobilizimi aq spektakular i atyre grupeve sociale, ka elemente nga taktikat që ka përdorë Kembrixh Analitika, në disa vende të ndryshme, para se të kompromentohej e të shkërmoqej. Dihet se ka pasur raste kur Kembrixh Analitika ka nxitur daljen ose mosdaljen masive dhe fanatike në zgjedhje, gjë që ka qenë përcaktuese në rezultatet të zgjedhjeve. Jo vetëm në rastin e zgjedhjes së Trampit e në rezultatin e Brexitit.

Bile një rast më tipik ka qenë në Trinidad-Tobago në vitin 2009, ku pati nxitje të të rinjve të një komuniteti për mosdalje në zgjedhje, gjë që mundësoi fitoren e komunitetit tjetër, gjë që ishte synimi strategjik i Kembrixh Analitikas. Në rastin e Kosovës, nxitja ka qenë në kahun e kundërt, pra, dalja masive e të rinjve në zgjedhje.

Në esencë nxitja është brenda të njëjtës skemë, që synon të arrijë fitoren e një subjekti. Nuk e di cila firmë ka qenë e angazhuar nga LVV për strategjitë elektorale, veçmas në sektorin e komunikimit në rrjete sociale e në mediet e reja, por kushdo që ka qenë, mundet që ka ndjekur disa nga taktikat e njohura të Kembrizh Analitikas që shkaktojnë përmbysje. Në këtë kontekst, mund të thuhet se dyfishimi i votës brenda një viti, nuk është reagim spontan i votuesve. Është një reagim i stimuluar me overdozë të indoktrinimit politik.

Ajo çka mbetet të kuptojmë në të ardhmen është se kush ishte në rolin e toreadorit, që e lëvizë shaminë e kuqe përballë demit, duke e nxitur të reagojë? Ndonëse analogjia nuk është e plotë, siç nuk është asnëherë, duket se në rolin e toreadorit ka qenë ish ambasadori Grenell, i cili ka nxitur reagimin e një elektorati të zhgënjyer, të përgjumur, që të zgjohet, të reagojë, të sulmojë. Taktikat e ambasadorit Grenell në mobilizimin e elektoratit të përgjumur kundër establishmentit aktual, kanë qenë shumë efikase. Pse e ka bërë? Nuk besoj në atë që thotë Daniel Serveri se gjoja Grenelli është budalla. Mua më duket se ka qenë në rolin që i është dhënë, të toreadorit, që provokon demin e mërzitur dhe të dërrmuar. Nëse është kështu, i bie që Uashingtoni zyrtar nuk ka pasur asnjë alternativë tjetër, për ta çmontuar establishmentin e instaluar të koalicioneve PDK/LDK/AAK, i cili me politikat e veta abuzive dhe shpesh herë të rrezikshme, e ka vënë në siklet administratën e SHBA-së..

Kjo ka ndodhë në jo pak raste, që nga mosmenaxhimi i shkuarjeve të të rinjve në Siri e Irak, me arrestimin e pakuptimtë të gylenistëve, me mosratifikimin e demaracionit me Malin e Zi, me idetë e rrezikshme për shkëmbimin e territoreve e deri te tentativa për ta zhbërë Gjykatën Speciale. Të gjitha ato mosveprime e veprime, strategjikisht kanë qenë kundër interesave amerikane në Kosovë e në rajon. Prandaj bën vaki është kërkuar një formulë e panatyrshme për çmontimin e atij establishment: në njërën anë me Gjykatën Speciale e në anën tjetër me diplomacinë arrogante të Grenellit. Nëse rrëzimi i qeverisë Kurti1, ka shkuar në favor të fitores spektakulare të Kurtit në zgjedhjet e 14 shkurtit, kjo që sapo thashë bëhet më e besueshme. Natyrisht, jo për të gjithë, po vetëm për ata të paktët, që e dinë se si funksionojnë skemat e imponimit të ndryshimeve me imponim. Nëse është kështu (kjo është vetëm hipotezë imja) rezulton që segmente të caktuara të diplomacisë e admnistratës së SHBA kanë përdorë taktika të maskuara, që realisht e kanë ndihmuar fitoren e LVV dhe Vjosa Osmanit. Fakti që Vjosa Osmani ka prejardhje nga LDK dhe që ka kryer një pjesë të shkollimit në SHBA, nuk ka mundur të jetë pa ndikim në atë kombinatorikë, nëse është e atillë.

Pra, fitorja LVV/Vjosa Osmani, e cila është bindëse, mund të ketë brenda vetes edhe disa skema për të cilat publiku mund të kuptojë më vonë, ose mund të mos kuptojë asnjëherë. Kjo nuk e zbehë vlerën e fitores së tyre, por mund ta vështirësojë qeverisjen e tyre. Veçmas nëse manipulimi kibernetik ka qenë enorm dhe nëse truku diplomatik ka bërë që pritshmëria e SHBA-së të jetë përtej mundësive të qeverisë së ardhshme.

8 mars 2021