A e shkeli Osmani Kushtetutën kur nuk ia barti detyrën Konjufcës gjatë kohës sa ishte në Turqi për ndërhyrje?

Më 7 maj të këtij viti, media turke “Hurriyet” ka raportuar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i është nënshtruar një operacioni në Antalia për të rënë në peshë.

Lajme

09/05/2022 21:24

Bazuar në artikullin e medias turke, rreth një vit më parë Osmani kishte qëndruar në një hotel me pesë yje Antalia për të kryer një ndërhyrje e cila do t’i mundësonte rënien në peshë, e pastaj ishte kthyer në vendin e saj, shkruan lajmi.net.

Raportimi se presidentja Osmani i është nënshtruar një operacioni jashtë vendit, ka nxitur reagime edhe në Kosovë, ku shumë prej analistëve e njohësve të çështjeve ligjore kanë kritikuar Presidencës për mos-transparencë, ndërsa kanë kërkuar dorëheqjen e Osmanit nëse ajo nuk i ka bartur detyrën Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, gjatë kohës sa i është nënshtruar operacionit, pasi që kjo sipas tyre do të përbënte shkelje të Kushtetutës.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë se detyra e presidentes i bartet kryeparlamentarit në disa raste.

“Kur ka paaftësi të përkohshme thotë gjykata, e cila duhet të vërtetohet dhe konstatohet nga një konzilium i specializuar për punë të tilla, pra konzilium mjekësor, detyrat përkohësisht i barten Kryetarit të Kuvendit”, ka thënë Baraliu për lajmi.net.

Në anën tjetër, ai ka përmendur edhe rastin që është raportuar në media për presidenten Osmani, për të cilin ka deklaruar se nuk është nevoja të bëhet bartja e detyrave sipas procedurave të lartcekura.

Ai ka thënë se Osmani e njeh Kushtetutën mjaft mirë, andaj edhe nuk ka qenë nevoja për zëvendësimin e detyrës së presidentes nga kryeparlamentari.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, sot ka deklaruar para mediave se presidentja Osmani nuk ia ka bartur detyrat gjatë kohës sa i është nënshtruar operacionit në Turqi.

“Këto janë të rregulluara me Ligj, nuk ka pasur rast të tillë. E vetmja që është paraparë me protokoll është që njëra prej figurave politike të nivelit të lartë të qëndrojë në Kosovë dhe t’i performojë detyrat e veta. Përndryshe nuk ka ardhur rasti deri në atë nivel”, ka deklaruar Konjufca.

Kujtojmë se media turke që raportoi për rastin ka deklaruar se operacioni të cilit i është nënshtruar Osmani ka të bëjë me një ndërhyrje ku hiqet rreth 80 përqind e stomakut, gjë që kufizon edhe mundësinë e konsumimit të ushqimit në mënyrë që të arrihet humbja e peshës. /Lajmi.net/