A e ka Haradinaj mbështetjen e komuniteteve jo serbe?

21:30 | 10 Korrik 2017

Kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj ka treguar se me cilat parti ka biseduar deri tani për të marrë mbështetjen dhe siguruar kështu numrat e duhur për të krijuar Qeverinë.

“Meqenëse nuk ka qenë rezultat zyrtar, deri tash kemi mundur të bëjmë vetëm konsulta, por pa obligim dhe jo të karakterit zyrtar. Kam biseduar me koalicionin LAA, kam pasur kontakt edhe me Vetëvendosjen, me deputetët e zgjedhur mes tyre”.

“Kam pasur takime me komunitetet, me serbët e Kosovës, me Listën Serbe, dhe njëkohësisht edhe me komunitetet jo serbe”.

Haradinaj që është i ftuar në Zona B të Klan Kosovës ka treguar se ai ka mbështetjen e plotë të komuniteteve jo serbe të Kosovës për krijimin e Qeverisë, sapo të marrë mandatin për këtë nga presidenti i vendit.

“Komunitetet jo serbe kanë dhënë votat e tyre, mbështetjen e tyre. Kanë qëndrim parimor, ata i japin përkrahjen partisë që ka fituar zgjedhjet nga shqiptarët por kanë edhe kërkesat lidhur me komunitetin e tyre”.

Ai ka treguar se nesër do të ketë një takim ku sipas tij do të finalizohet marrëveshja me komunitetet jo serbe në Kosovë.

Por Haradinaj ka treguar poashtu se komunitetet jo serbe në Kosovë kanë edhe kërkesat e tyre.

“Janë kërkesa reale, të drejta – për përfaqësim në ekzekutiv në mënyrë që të mund t’i kontribuojnë komunitetit të tyre”.

“Marrëdhëniet i kemi të sinqerta, kam thënë se nuk do të shkojmë vetëm me premtime”.

“Situata në komunitetet e tyre nuk është e thjeshtë, disa prej tyre kanë kërkesa elementare si luftimi i varfërisë, e drejta e shkollimit. Kam marrë përsipër që të jem korrekt dhe i sinqertë, do të jemi bashkë e të sinqertë në temat që i preokupojnë”. /KlanKosova/