A duhet të privatizohen Ndërmarrjet Publike?

Nëse përgjigja në pyetjen më lart është pro privatizimit, atëherë na dalin pyetje tjera.

Opinion

17/07/2020 16:10

Ligjet ekonomike janë të pashmangshme. Njëri prej tyre është presioni ndaj qeverisë që të krijoj dhe ruaj sisteme konkurruese në treg. Kjo vlen si për ndërmarrjet në pronësi private ashtu edhe për ato shtetërore. Në shtetet që nuk kanë aftësi të mjaftueshme të menaxhimit të ndërmarrjeve publike, apo qeveria dështon në qeverisjen korporative të tyre, dilema që paraqitet ka të bëjë me opsionin e privatizimit të tyre. Kjo dilemë është sidomos sfiduese në një mjedis ku konkurrenca në treg pothuajse fare nuk ekziston.

Nëse përgjigja në pyetjen më lart është pro privatizimit, atëherë na dalin pytje tjera si psh:
• Çfarë përmirësime mund të priten në funksionimin e tregut?
• Çka do të ndodhë me të punësuarit?
• A do të përfitoj qeveria aq sa është vlera e ndërmarrjeve publike?
• A do të kenë qytetarët e zakonshëm përfitim nga ky proces apo jo?
• Kush është fitues e kush është humbës i tërë këtij procesi? E shumë të tjera.

Si pikënisje në keto përgjigje duhet të jenë objektivat e paracaktuara qartë nga ana e qeverisë, krijimi dhe funksionimi i zyrës së rregullatorit si dhe të zhvillimit të politikave konkurruese që funksionojnë në treg.

Gabimi më i madh që mund të bëhet është që ndërmarrjet publike të shiten me qëllim që të rregullohen të hyrat në konton e qeverisë. Po ashtu qeveria duhet ta ketë një plan të mirëfilltë për destinimin e mjeteve të grumbulluara nga shitja. Nëse mjetet e grumbulluara nga shitja shndërrohen në paga, atëherë ky do jetë një gabim kardinal, pasojat e të cilit do të përcillen shumëfish në gjeneratat e ardhshme. Në anën tjetër, nëse ekziston një plan i mirëfillt ku qeveria garanton se mjetet e grumbulluara do t’i dedikohen një programi i cili do t’i ndihmojë Kosovës p.sh. të exportojë, atëherë mbase ia vlen barra qiranë të merret në konsideratë.

Nëse përfitimet nga privatizimi jane të vogla, atëherë nuk duhet të jemi në nguti dhe të marim një vendim të tillë. Medoemos, duhet të zhvillohen edhe politika reformuse që mundësojnë avansime në treg përfshirë këtu edhe rritjen e punësimit. Pa politika të artikuluara qartë dhe të pranuara të privatizimit të ndërmarrjeve publike, as qeveria e as këto ndërmarrje nuk do ta rrisin përfomansën e tyre. Nuk duhet harruar që asetet e ndërmarrjeve publike janë pasuri edhe e gjeneratave të ardhshme. Gjithashtu, privatizimi i aseteve pa pasur konkurrencë shndërrohet në monopol (p.sh. në Londër janë 60 distributorë që mund të furnizojnë amvisnit dhe bizneset, kalimi nga një distributor në tjetrin bëhet me një thirrje telefonike). Është i pakuptimt privatizimi i distribucionit në Kosovë!

Një pyejte tjetër prek përfitimin eventual të qytetarëve të Kosovës nga privatizimi i këtyre ndërmarrjeve publike? Kjo vlen edhe për rastet kur dhënia me koncesion e ndërmarrjeve publike trajtohet si opsioni më adekuat të paktën në afat të mesëm. Përvojat e disa vendeve kanë nxjerrë në pahë mungesën e kuadrove të domosdoshëm për një udhëheqje të suksesshme të këtyre ndërmarrjeve por edhe për ballafaqim serioz me praktikat korruptive brenda tyre. Dhënja me qira apo koncesion e aseteve të prones publike (p.sh. siç ishte aeroporti ndërkombëtar Adem Jashari) i ka edhe dukuritë tjera negative të cilat qeveria do të duhej t’i analizojë mirë para se të marrë vendim.

Së fundi, një pyetje tjetër me shumë rëndësi është edhe ajo se çka i garanton qeverisë se vlera e aseteve nuk do të zvoglohet në të ardhmen, sidomos viteve të fundit para se kontrata e kontraktorit (me koncesion) të skadojë. /Lajmi.net/

Vështrim nga, Ilir Aliu – ish zëvendësministër i Financave