A doni të jeni produktiv? Ja cilat zakone duhet të zbatoni

13:49 | 2 Dhjetor 2021

Nganjëherë është e vështirë të tregoheni produktiv, por vetëm duhet të ndjekni këta hapa.

  1. Bëni lista të menaxhueshme me detyrat tuaja

Të përpiqeni të mbani mend gjithçka që duhet të bëni është shpërqendruese dhe në fakt, sipas një studimi të vitit 2011, mund t’i zvogëlojë gjasat që të arrini të bëni gjithçka që doni.

Në vend të kësaj, duke shkruar paraprakisht listën tuaj të detyrave, ju mund të organizoni më mirë javët dhe ditët tuaja dhe kjo mund t’ju ndihmojë që të mos humbni kohën dhe të mos ju dalin gjërat nga kontrolli. Për më tepër, ka edhe një kënaqësi instinktive që vjen me përfundimin e detyrave dhe, si rrjedhojë, me fshirjen nga lista të detyrave të mbaruara.

  1. Ndajeni ditën tuaj.

Puna për të ndarë qëllimet tuaja për çdo ditë do ta bëjë shumë më të menaxhueshme atë që fillimisht mund të duket si një mal me detyra. Koha që shpenzohet për ta bërë pjesën tjetër të ditës tuaj më efikase është kohë e shpenzuar mirë dhe do t’ju vlejë në afatgjatë. Identifikoni gjërat që duhet të bëhen çdo ditë dhe identifikoni momentin se kur do të bëni secilën prej tyre. Shumë njerëz kanë përdorur teknikën Pomodoro për të qëndruar të fokusuar në detyra të caktuara. Kjo teknikë kërkon që ju të zgjidhni një detyrë që duhet ta përfundoni dhe t’i kushtoni asaj 25 minuta të plota. Pasi të mbarojnë 25 minutat, mund të bëni një pushim dhe më pas të vijoni me detyrën tjetër.

  1. Përqendrohuni dhe bëjini detyrat një nga një.

Mbajtja e listave me detyrat që duhen bërë dhe ndarja e ditës do t’ju ndihmojnë në vendosjen e prioriteteve ndaj detyrave më të rëndësishme që keni. Gjithashtu, mund të provoni Matricën Eisenhower, një teknikë produktiviteti e krijuar për t’ju ndihmuar të vendosni prioritete për detyrat tuaja, në vend që t’i caktoni secilës prej tyre të njëjtën urgjencë.

Matrica Eisenhower përbëhet nga katër katrorë:

  1. Detyra urgjente dhe të rëndësishme, të cilat duhen kryer sa më shpejt;
  2. Detyra jo urgjente, por të rëndësishme, të cilat duhet të planifikohen për t’u përfunduar më vonë;
  3. Detyra urgjente që mund t’ua delegoni të tjerëve;
  4. Detyra jo urgjente ose të parëndësishme, të cilat mund t’i hiqni fare nga lista.

Qëllimi është të identifikoni se çfarë ka rëndësi në të vërtetë dhe kur duhet bërë, në mënyrë që të dini si të veproni. “Ekziston ky perceptimi se kryerja e shumë detyrave njëkohësisht ju bën më produktiv, por e kundërta është e vërtetë,” shpjegon trajnerja e suksesit dhe lidershipit, Christine Hourd.

  1. Identifikoni dhe shfrytëzoni orët tuaja produktive

Të gjithë e kemi hasur konceptin e “njerëz të natës” kundrejt “njerëz të mëngjesit”. Secili prej nesh ka disa orë gjatë ditës në të cilat është më produktiv, më i kthjellët dhe më i fokusuar se të tjerët. Identifikimi i këtyre orëve vendimtare dhe shfrytëzimi i tyre, do të ndikojë në një ndryshim madhor të produktivitetit tuaj të përgjithshëm dhe në nivelin e energjisë që keni çdo ditë.

  1. Bëni pushime dhe shpërblejeni veten

Mos kini frikë të bëni pushime, por gjithmonë qëndroni brenda planit. Ju do të mund të jeni më të përqendruar nëse paracaktoni disa pushime dhe shpërblime për veten. Një pushim pa një fund të planifikuar është një pushim që mund të mos përfundojë kurrë, ose të paktën të zgjasë shumë më tepër nga ҫ’duhej. Përdorini pushimet dhe shpërblimet ndaj vetes në mënyrë proaktive në vend që t’i përdorni ato në mënyrë reaktive. Kjo mund të kërkojë disa kohë për t’u mësuar, por filloni t’i bëni pushimet dhe shpërblimet pjesë të sistemeve tuaja të përditshmërisë.

  1. Mos prisni që t’ju vijë frymëzimi.

Mos prisni t’ju vijë frymëzimi për të filluar diҫka që dëshironi të bëni. Shanset janë që, nëse do të ndodhë që të frymëzoheni ndonjëherë për të bërë diçka, atëherë ky frymëzim do të vijë duke e nisur punën dhe duke e bërë atë.

  1. Thjesht filloni.

Kjo është pjesa e vështirë, sepse të kalosh nga kryerja e një pune te fillimi i një pune tjetër është shumë më e lehtë sesa të kalosh nga qëndrimi pa bërë asgjë te fillimi i punës. Kjo është gjithashtu këshilla më e rëndësishme nga të gjitha, sepse në momentin që filloni, do të kuptoni çfarë është më e përshtatshme për ju. Një nga gjërat e pakta që të gjitha detyrat, të mëdha apo të vogla, kanë të përbashkët është se dikush, në një moment, duhej të ulej dhe të fillonte ta bënte atë. /Lajmi.net/