A do t’i ulët dënimi Salih Mustafës nga Specialja?
Avokati, Taulant Hodaj, ka treguar instruksionet se si ka mundësi që t’i ulët masa e dënimit ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa, pas vendimit të Gjykatës Supreme të Dhomave të Specializuara të Kosovës, e cila e ka anuluar pjesën e aktgjykimit të Apelit që ka të bëjë me dënimin prej 22 vjetësh burgim ndaj tij. Ndërkohë…

Lajme
Avokati, Taulant Hodaj, ka treguar instruksionet se si ka mundësi që t’i ulët masa e dënimit ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa, pas vendimit të Gjykatës Supreme të Dhomave të Specializuara të Kosovës, e cila e ka anuluar pjesën e aktgjykimit të Apelit që ka të bëjë me dënimin prej 22 vjetësh burgim ndaj tij.
Ndërkohë avokati beson se masa e dënimit ndaj Musafës do të zbritet.
“Nga instruksionet që ka dhënë Gjykata Supreme për Gjykatën e Apelit ka qenë që të rivlerësojë krejt ato rrethana se 22 vite a është dënim adekuat apo duhet t’i zbritet. Kjo është e mirë. Besoj se do t’i zbritet… Gjykata e shkallës së parë gabimisht e ka dënuar me 26 vjet që është dënim më i madh sesa lartësia e dënimit e paraparë me ligjin e aplikueshëm të asaj kohe”, tha Hodaj.
Avokati deklaroi se nuk ka rrezik që masa e dënimit të rritet.
“Nuk ka asnjë mundësi që t’i rritet masa e dënimit, as ligjore as teorike, sepse ashtu është vendimi i Supremes. Nuk ka asnjë rrezik që do t’i rritet masa e dënimit, por besoj shumë që do t’i zvogëlohet masa e dënimit”, tha ai.
Salih Mustafa fillimisht ishte dënuar me 26 vite burgim në dhjetor të 2022-tës, por që Apeli ia zbriti katër vite nga dënimi vitin e kaluar.