A do t’i tërheq Amerika trupat ushtarake nga Kosova? – Flasin nga Zyra e Kryeministrit
Zyra e Kryeministrit të Kosovës, ka dhënë detaje rreth bisedës telefonike të Albin Kurtit me përfaqësuesit amerikanë.
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar një bisedë telefonike me emisarin për dialogun me Serbinë, Richard Grenell dhe Robert C. O’Brien, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Gjatë ditës së mërkurë, në medie u raportua se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i tërheqin trupat amerikane në Kosovë dhe se do t’i ndalojnë ndihmat ekonomike për vendin tonë.
Mirëpo një gjë e tillë është mohuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, shkruan lajmi.net.
Arianit Beqiri, nga kjo zyrë, ka bërë të ditur në detaje se çfarë ka biseduar kryeministri Kurti me ambasadorin Grenell dhe O’Brien.
“Gjatë bisedës së djeshme telefonike të Kryeministrit Kurti me Ambasadorin O’Brien dhe Ambasadorin Grenell ata nuk kanë deklaruar se do t’i tërheqin trupat ushtarake amerikane nga Kosova dhe se do ta ndalin në ndonjë fushë ndihmën ekonomike për vendin tonë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura ta rrisin zhvillimin ekonomik e ta forcojnë sigurinë në rajon. Në fund të bisedës, të dyja palët janë pajtuar që ta vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin”, ka shkruar Beqiri në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook. /Lajmi.net/