A do t’i bëj Komisioni Evropian dhuratën përfundimtare opozitës për nxitjen e demonstratave gjithë-popullore?

Liberalizimi i vizave është temë kudo, në tryezën e kuzhinës sonë, në kafiteritë e qytetit, në bisedat tona me të afërmit që jetojnë në shtetet e BE-së, në tavolinat e punës dhe në tavolinat e takimeve të qeverisë së Kosovës me BE-në.

Lajme

29/01/2016 10:23

Qysh në vitin 2003, Bashkimi Evropian ishte zotuar ndaj shteteve të Ballkanit perëndimor për liberalizimin e vizave, mbi bazën e ndërmarrjes së reformave të nevojshme në fushën e politikave të brendshme. Regjimi i vizave ishte imponuar Ballkanit në vitet e 1990 për shkak të luftës së Jugosllavisë.

Në vitin 2008, BE-ja përmes Udhërrëfyesit për Liberalizim të Vizave përcaktoi një seri kriteresh që duheshin përmbushur nga shtetet e rajonit në mënyrë që të largoheshin vizat. Serbia ishte shteti i parë që kishte marr udhërrëfyesin për liberalizim të vizave me 7 maj 2008 me vetëm 24 kushte për tu plotësuar. Serbia, Maqedonia, dhe Mali i Zi iu bashkuan regjimit pa viza të BE-së në dhjetor të vitit 2009  kurse Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina në nëntor të vitit 2010. Ndërsa Kosova tek në vitin 2012 e pranon udhërrëfyesin për liberalizim të vizave me 300% më shumë kushte se sa Serbia dhe së paku me 100% më shumë se të gjitha vendet e tjera të rajonit. Tani pas 9 viteve kur procesi i liberalizimit të vizave filloi formalisht, në një situatë ku vetëm qytetarët e Kosovës vazhdojnë të izolohen, për Kosovën Bashkimi Evropian vazhdon të ketë qëndrim diskriminues dhe me sa duket as që po i bëhet vonë për izolimin e qytetarëve të Kosovës.

Me sjelljen e dhe qasjen ndaj Kosovës, Bashkimi Evropian, çdo ditë e më shumë po konfirmon qëndrimet e kamotshme të Vetëvendosjes dhe tani së fundi edhe të partive të tjera opozitare, qëndrime të cilat ata vetë i kundërshtojnë, që vendimet e vështira që Kosova po i merr në kuadër të agjendës evropiane, sidomos në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, janë të dizajnuar të sjellin Serbinë më afër BE-së dhe jo detyrimisht edhe Kosovën.

Me gjithë problemet që Kosova ka, si pret Bashkimi Evropian që ky vend i mbyllur, prej 1.8 milion banorëve do të zhvillohet i izoluar nga Evorpa? MSA nuk do të ketë efektin e plot ekonomik dhe potenciali i MSA-së do të zbehet përderisa produktet tona mund të udhëtojnë në shtetet e BE-së, ndërsa biznesmenët tanë duhet të presin me ditë tëra vetëm për të caktuar një termin për vize? Si presim që këta biznesmenë do të kenë mundësi të shfrytëzojnë zonën e tregtisë së lirë me BE-në që krijohet përmes MSA-së? Pastaj, si la logjikë që produktet të udhëtojnë ndërsa punëtorët kosovar që i kanë prodhuar ato produkte të trajtohen ndryshe?

Por krahas kësaj logjike, për qytetarët e Kosovës, aplikimi për një vizë Shengen është edhe një moment i poshtërimit dhe i përkujtimit të vazhdueshëm se sa vlen dhe çfarë vlen shteti i tyre, i dizajnuar nga një ish-President Evropian dhe Nobelist i paqes z. Ahtisaari, dhe i ndërtuar më shumë mundë e vit me përkrahjen e të gjithë shteteve të BE-së dhe SHBA-së.

Në një publikim të tyre, Iniciativa Evropiane për Stabilitet (ESI) më së miri e shpjegon se çfarë regjimi i vizave nënkupton për ne, dhe në paragrafin vijues termin rajon duhet të largojmë ngase tani, mbetet vetëm Kosova e izoluar: “Njerëzit në të gjithë rajonin e perceptojnë regjimin e vizave si refuzim personal dhe nuk arrijnë  të kuptojnë këtë regjim me ofertën e një të ardhmeje në BE. Reformatorët pro-BE-së ndihen të diskriminuar; njerëzit e biznesit të dëshpëruar mbi kufizimet që detyrimi i vizave imponon në potencialin e rritjes se kompanive  të tyre; të rinjtë ndihen të burgosur”.

Bashkimi Evropian ka traditë të vonohet me Ballkanin. Kosova gjendet në një pikë kritike, dhe vendimet që Kosovës iu kërkua ti merr për të quar vendin përpara  në agjendën evropiane, janë ato që na kanë sjell në këtë moment kur të gjithë presin përkeqësim dhe jo përmirësim.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e asociacionit, ndonjë njoftime eventual negativ nga Komisioni Evropian për procesin e liberalizimit të vizave, do të përbënte dhuratën më kryesore për opozitën nga ana e Komisionit Evropian duke legjitimuar argumente tyre dhe rrjedhimisht duke ndihmuar në arritjen e qëllimeve të tyre. Një situatë e tillë do të rrezikonte investimin shumëvjeçar të BE-së dhe SHBA-së në shndërrimin e shtetit të Kosovës, një shtet multietnik e demokratik me të ardhme evropiane. (Analizë e lajmi.net rreth procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën)