A do të vendosë Rusia armatim bërthamor në Krimenë e aneksuar

Ushtria ruse ka vendosur 14 aeroplanë luftarakë në Krime, gadishullin ukrainas që në mars të këtij vitit e aneksoi Rusia, njoftoi të mërkurën agjencia e lajmeve TASS.

Bota

26/11/2014 19:20

Dhjetë aeroplanë SU-27 dhe katër SU-30 janë dërguar në rajonin Krasnodar, prej nga, në kuadër të eskadrilës prej gjithsej 30 aeroplanëve, do të vihen në shërbim për nevoja të Krimesë, shkruan TASS, duke iu referuar burimeve brenda ushtrisë ruse.

Komandanti suprem i NATO-s, gjenerali amerikan Philip Breedlove tha të mërkurën në Kiev se është shumë i brengosur me këtë dislokim të raketave ruse në Krime, dhe se kjo paraqet kërcënim për të gjitha vendet e Detit të Zi, transmeton lajmi.net.

“Jemi shumë të shqetësuar për shkak të militarizimit të Krimesë”, tha gjenerali Breedlove në konferencën me gazetarë në Kiev.

“Pajisjet tashmë po vendosen në Krime, raketat kryqëzore dhe ato kundërajrore kanë mundësi të arrijnë të gjitha caqet në rajonin e Detit të Zi”.

Ai shtoi se druan nga vendosja e armatimit bërthamor në këtë gadishull.

Në javët e fundit Rusia ka shtuar praninë e saj ushtarake në Krime, duke vendosur që sërish të vë në funksion qendrën për paralajmërime nga projektilët dhe duke paralajmëruar investime në lartësi prej 1.75 miliardë eurosh për zhvillimin e flotës detare në Detin e Zi.