A do të shkaktojë tërmet politik në Serbi njeriu që po vdes ?

Tribunali i Hagës ka vendosur ta lirojë të akuzuarin për krime të luftës, Vojisllav Sheshel  pasi rezultatet mjekësore kanë treguar se ai ka metastazë të kancerit në mëlçi. Si do të ndikojë kjo në situatën politike në Serbi dhe a do të shkaktojë kjo tërmet politik në Beograd, ku zyrtarë të saj mendojnë se ai është liruar pikërisht për ta destabilizuar Serbinë? 

Lajme

07/11/2014 22:50

Ai do të jetë i lirë të shëtisë nëpër Beograd, të japë intervista, të mbajë fjalime, andaj partia e tij Radikale Serbe ka paralajmëruar se ai do të mbajë një miting mirëseardhjeje që po i përgatitet të shtunën në Beograd.

I vetmi kusht që ia ka shtruar Tribunali i Hagës Sheshelit është që ai të mos ketë kontakte me dëshmitarët dhe t’i përgjigjet ftesës për gjykim.

Njeriu përgjegjës për dëbimin e kroatëve nga Vojvodina gjatë konfliktit ndërmjet Serbisë e Kroacisë, ishte lejuar të kthehej në Serbi në muajin korrik pa kurrfarë kushtesh, por ai atëherë refuzoi ta bëjë këtë pasi që Tribunali kërkonte që ai të mbetej në arrest shtëpiak. Tash praktikisht atë e kanë lutur të dalë nga paraburgimi mbi 11-vjeçar në Scheveningen në mënyrë që të mos ju ndodhë që edhe një i akuzuar të vdesë aty para shqiptimit të aktgjykimit. 

Si theksohet në Hagë, ai është liruar para së gjithash për arsye të dëshirës së Tribualit që të dalë nga situata në të cilën është futur për shkak të gjykimit shumë të gjatë kundër tij.

Presidenti aktual i Serbisë, Toma Nikoliq, dhe kryeministri A. Vuçiq me vite të tëra karrierën e tyre politike e kanë ndërtuar në partinë radikale të Sheshelit, kurse ai nga Haga gjatë viteve të fundit, prejse këta dy e kanë braktisur partinë e tij dhe kanë themeluar partinë e tyre, ka drejtuar shigjeta helmuese në drejtim të këtyre dy ish-bashkëpunëtorëve. “Nëse vij në Serbi, nuk do të merrem me shërimin tim, por të gjitha fuqitë do t’i orientoj në hakmarrje”, ka thënë Sheshel këtë javë, në prag të lirmit nga Tribunali. Për këtë arsye disa në Beograd vendimin e Gjykatës së Hagës e konsiderojnë potez politik.

Ministri i Punës, Aleksandar Vullin sot deklaroi se në aktin e lirimit të Sheshelit ai e sheh si tentim ëpr destabilizimin e kryeministrit aktual Aleksandar Vuçiq. Sipas tij, lirimi i Sheshelit nga ana e Tribunalit është bërë në radhë të parë për arsye se Perëndimit nuk i pëlqejnë marrëdhëniet e mira ndërmjet Serbisë dhe Rusisë.

“Mua më brengos porosia politike e Tribunalit të Hagës, i cili po sillet si gjykatë politike”, tha ai.

Vuçiq gjatë vizitës së kryeministrit të Francës në Beograd porositi se të gjithë ata që tentojnë ta kërcënojnë paqen dhe stabilitetin e Serbisë nuk do te kenë sukses në këtë drejtim”.